Tahiri: BE, presion Serbisë të ndërpresë aktet e agresionit ndaj Kosovës

“Fati i dy policëve, është në duart e EULEX-it, pasi autoritetet e Kosovës nuk kanë asnjë kontakt me autoritetet e Serbisë”, ka thënë ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi. Ndërkaq, kryenegociatorja Edita Tahiri thotë se Qeveria e Kosovës, arrestimet e policëve, që ka ndodhur brenda territorit të Kosovës i konsideron arrestime me motive destruktive të Serbisë. Sipas medias kosovare, Tahiri ka thënë se për këto arrestime janë në dijeni të gjithë faktorët relevantë, përfshirë edhe BE-në e SHBA-të. “Natyrisht që edhe unë kam kontaktuar me Robert Cooper, si ndërmjetës i BE-së, për ta informuar për situatën e krijuar. Kam kërkuar nga BE-ja që të bëjë një presion të qartë dhe të vendosur ndaj Serbisë. E para, për lirimin e policëve të arrestuar, por edhe një presion që Serbia të ndërpresë këto akte agresioni ndaj Kosovës”, ka thënë Tahiri duke shtuar se Brukseli me shqetësim i ka marrë këto informacione, për shkak se cenohen marrëveshjet e arritura deri tashti. “Kemi marrë premtime se ata janë duke punuar që të zgjidhet drejtë kjo çështje, që të lirohen të arrestuarit. Por, edhe në përgjithësi të rregullohet gjendja në lëvizjen e lirë, sepse kemi informacione që në pikën kufitare në Merdarë që nga mbrëmë ka pritje të gjata dhe pengesa në lëvizjen e lirë”, tha ajo. Tahiri po ashtu u shpreh se zhvillime të tilla cenojnë dialogun teknik dhe marrëveshjet e arritura.

Comments are closed.