Tahiri: Serbia nuk do t’i mbajë zgjedhjet në Kosovë

Shefja e delegacionit të Kosovës për dialogun teknik mes Prishtinës dhe Beogradit, Edita Tahiri, ka thyer heshtjen disajavore. Në një intervistë për “Epokën e Re”, Tahiri ka deklaruar se Serbia s`do t`i mbajë zgjedhjet lokale në Kosovë, as nuk do të ketë status special për serbët e veriut. “Beogradi nuk do t`i mbajë zgjedhjet në Kosovë. Në bazë të të gjitha bisedave që kam zhvilluar deri më tani, kam parë një seriozitet dhe vendosmëri të diplomatëve perëndimorë, që t`ia bëjnë me dije Serbisë se nuk mund të ketë standarde të dyfishta të politikës së jashtme, në një anë proeuropiane karshi Evropës, në anën tjetër antieuropiane karshi rajonit, veçanërisht Kosovës”, theksoi Tahiri. Kryenegociatorja u shpreh se sa i përket zgjedhjeve serbe, por edhe temave të tjera nga Cooper dhe diplomatë të tjerë me të cilët është takuar pas përfundimit të raundit të fundit, ka kërkuar mosmbajtjen e tyre, përkatësisht pengimin e Serbisë për t`i mbajtur në Kosovë. “Tani është koha kur BE-ja duhet të flasë, t`i mbrojë vlerat evropiane si dhe t`i detyrojë shtetet që të jenë të vetëdijshme se rruga për BE është rruga drejt respektimit të standardeve. Pika e dytë: ua kam bërë të qartë se shpërbërja e strukturave paralele është e domosdoshme dhe është në funksion të stabilitetit rajonal. Kurse, pika e tretë: kam theksuar se vendet mosnjohëse të cilat po vazhdojnë të mos e njohin Kosovën duhet të kenë parasysh se çdo vonesë në këtë drejtim ndërlidhet me brishtësinë e mundshme apo në rrjedhat jo të dëshirueshme për stabilitetin rajonal”, ka thënë Tahiri. Ajo nuk i ka komentuar direkt deklaratat e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili ka deklaruar se delegacioni i Kosovës nuk i ka njohur teknikat e dialogut. “Unë mendoj se dialogu teknik dhe rezultatet duhet të analizohen. Pikërisht kjo analizë u takon politikanëve që kanë përvojë në negociata. Negociatat apo bisedimet janë të suksesshme vetëm kur të mbrohen qëllimet strategjike. Të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel kanë mbrojtur dhe avancuar interesat nacionale të Kosovës. Kanë respektuar vijat e kuqe, Rezolutën e Kuvendit të Kosovës dhe platformën e Qeverisë”, ka theksuar Tahiri.

Comments are closed.