“Tatimi mbi të ardhurat” Bode: Ligj modern për të vendosur drejtësi sociale

Ministri i Financave, Ridvan Bode në fjalën e tij në parlament duke folur për ndryshimet në pr/ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, deklaroi se këto ndryshime janë teknike dhe reflektojnë nevojën për të rritur pragun e atyre që duhet të deklarojnë të ardhurat e tyre vjetore dhe nuk prek asnjë prej aspekteve të tjera. “Ky ligj, është ligj i drejtësisë sociale. Është një ligj modern për të vendosur drejtësi sociale në një vend. Çdo individ që realizon të ardhura nën këtë që përcaktohet nga pragu, ka të drejtën të plotësojë deklaratë e të pretendojë rimbursimin e shpenzimeve. Ky ishte ligji më modern që ne sollëm dhe ka përqafuar anembanë botën, është bërë ligj më funksional e më efikas në eleminimin e padrejtësive që sjell ekonomia e tregut. Disa të majtë gjetën rastin për të sulmuar taksën e sheshtë, qëllimi i “çiçikovianëve” të majtë ishte si t’i hapim rrugën taksës progresive që ka shpikur në këtë mijëvjeçar kryetari i PS. Taksa, progresive, shpikja më e fundit. Taksa më e vjetër na prezantohet si modernizim i sistemit fiscal”, u shpreh Bode. Ndër të tjera ministri ka folur edhe për taksën e sheshtë, duke deklaruar se ajo uli barrën fiskale e bëri Shqipërinë në vendin e dytë në botë me taksa më të ulta. “Nuk është e vërtetë që vendet e rajonit kanë taksa më të ulta nga ne, nuk është e vërtetë që Shqipëria ka pengesa”, u shpreh ministri, për të shtuar se vendi ynë ka disa ligje që e bëjmë të vuajë në fushën e taksave. Ministri theksoi se taksat e ulta rritën konkurrencën dhe eleminuan evazionin fiskal.

Comments are closed.