Të vetëpunësuarit, kontributet nga viti 2014

 

Nga data 1 janar 2014, të vetëpunësuarit do të fillojnë të paguajnë kontributet e sigurimit shëndetësor. Komisioni parlamentar i Ekonomisë ka votuar ndryshimet në ligjin “për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor”. Drejtoresha e Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave, Arjana Dyrmishi, tha se, kuota e kontributit do të jetë 1.866 lekë, që i korrespondon 7% të mesatares së pagës në Shqipëri. Në Shqipëri numërohen rreth 65 mijë persona të vetëpunësuar. Në 22 mars të këtij viti hyri në fuqi ligji për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor. Ligji përcakton se, gjithkush që ka një librezë shëndetësore do të përfitojë shërbime pa pagesë në spitale, duke u ofruar kështu një mbulim të gjerë popullatës me kujdesin shëndetësor. Ligji mbulon me anë të shpenzimeve shtetërore të gjitha kategoritë në nevojë, si pensionistët, personat që trajtohen me ndihmë ekonomike, invalidët, nxënësit dhe studentët nën moshën 25 vjeç etj.