Shkencë

Telemjekësia, prezantohen arritjet në tre vjet

Drejtori i USAID-it për Shqipërinë, Jim Barnhart, viziton mjediset e Qendrës së Telemjekësisë

Drejtori i USAID-it, në Shqipëri, Dr. Jim Barnhart, vizitoi mjediset e Qendrës së Telemjekësisë së Shqipërisë në Tiranë. Dr. Barnhart bisedoi jo vetëm me stafin e qendrës, por edhe me të gjithë pjesëtarët e tjerë të programit të telemjekësisë në spitalet rajonale ku ky projekt është zbatuar: në Kukës, Shkodër, Lezhë, Durrës, Korçë dhe Vlorë. Vetë mjediset e Qendrës së Telemjekësisë së Shqipërisë sapo janë rinovuar plotësisht në kuadrin e programit të ndihmës humanitare të ushtrisë së SHBA-ve, e lëvruar nëpërmjet EUCOM dhe USACE. Gjithashtu, Dr. Barnhart vizitoi auditoriumin 100 vendësh, sallat e telekonsultave, bibliotekës elektronike, etj. Ai kërkoi të njihej dhe u prezantua me arritjen e këtij programi të financuar nga USAID-i dhe të mbështetur nga Ministria e Shëndetësisë. Drejtori i Programit, Prof. Rifat Latifi, dhe pjesëtarët e tjerë të stafit i paraqiten Dr. Barnhart arritjet e programit në tre vitet e fundit në fushat e telemjekësisë klinike, edukimit mjekësor në distancë dhe të bibliotekës elektronike. Vëmendje e veçantë iu kushtua programit, tashmë tepër të njohur të menaxhimit në distancë te aksidenteve vaskulare cerebrale (tele-stroke), programit të teletraumës, programit të telekonsultave, programit të tele-okulistikes, etj. Njëkohësisht, Dr. Barhnart kërkoi të njihej edhe me sfidat e programit, ku u veçua nevoja për të parashikuar që, në këtë fazë, vazhdimësinë e programit të telemjekësisë dhe shëndetit elektronik për Shqipërinë. Prof. Latifi theksoi mbështetjen e gjithanshme që i është dhënë programit të telemjekësisë nga gjithë strukturat e shtetit shqiptar, që nga Kryeministri Berisha, i cili, personalisht e ka mbështetur këtë program, tek ministri i Shëndetësisë dhe drejtuesit e spitaleve, ku programi tashmë po zbatohet. Dr. Barnhart dhe Prof. Latifi theksuan nevojën që programi i telemjekësisë dhe shëndetit elektronik të bëhet i njohur për çdo mjek dhe infermier në të gjithë spitalet e vendit, me qëllim që ata të përfitojnë nga mundësitë e pafundme që telemjekësia dhe shëndeti elektronik ofron. Programi i Telemjekësisë dhe Shëndetit Elektronik ka hyrë tashmë në një fazë zhvillimi intensiv, veçanërisht programi i teletraumës, i cili po zbatohet në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Traumës dhe spitalet rajonale të vendit.

Lexoni edhe: