Tendencat e kësaj vere; ngjyra, lule dhe stampime të shumta

Stilistët më të famshëm propozojnë tendenca të reja për sezonin pranverë-verë 2012, ku këshillojnë përdorimin e veshjeve me stampime të ndryshme, lule, forma gjeometrike, ngjyra të ndryshme, por edhe ngjyrat klasike, të bardhën dhe të zezën. Jo vetëm, por stilistët propozojnë gjithashtu edhe disa detaje që e bëjnë veshjen tonë më trendi.

Barku i zbuluar

Veshjet të cilat mundësojnë zbulimin e pjesës së barkut, janë tendenca e kësaj vere, por që në fakt jo nga të gjitha femrat preferohet. Kështu, në sfilatat e fundit me koleksionet e pranverë-verëe 2012, Blumarine, Dolce & Gabbana, Donna Karan, Emilio Puçi, Missoni, Miu Miu , Nina Riçi, Oscar de la Renta, Prada, dhe shumë shtëpi të famshme mode, risjellin këtë tendencë ku pjesa e barkut qëndron e zbuluar. Por kjo në fakt është një tendencë e bukur për ato femra që kanë trup të bukur dhe këtu lind dyshimi, a do mund të përqafohet kjo tendencë nga të gjitha femrat?

Kombinimi bardhë e zi

Kombinimi i ngjyrës së zezë me të bardhë rikthehet në pasarelat e modës për sezonin e ri pranveror të këtij viti. Ky kombinim nuk është vetëm në veshje, por edhe në aksesorë të ndryshëm, si në çantë, këpucë, varëse, byzylykë, etj. Kjo do të jetë një veshje e preferuar nga pjesa më e madhe e femrave, edhe për vet faktin se mund të vishet si gjatë aktiviteteve të ndryshme ditore, sepse përfaqësohet më së miri nga ngjyra e bardhë, por mund të përdoret edhe për ndonjë mbrëmje speciale, ku dominonin ngjyra e zezë. Gjithashtu me këtë veshje, femrat duken gjithnjë e më shumë elegante dhe shik. Në fakt këtë trend e prezantojnë në pasarelat e tyre, Alexander Ëang, Balmain, Chanel, Chloé, Christian Dior, Lanvin, Oscar de la Renta, Valentino, dhe jo vetëm.

Gjithçka e verdhë

E verdha në nuancën e kanarinës, pastel por edhe në nuancë më të errët, do të jetë mbizotëruesja e këtij sezoni. Pothuajse të gjithë stilistët kanë propozuar këtë ngjyrë në veshjet e tyre e cila do të jetë simboli i kësaj vere. Ndër të tjera veshjet me këtë ngjyrë kombinojnë në mënyrë perfekte edhe me ngjyrën e trupit tonë pas plazhit.

Lulet pranverore

Ngjyra të shumta, stampime me figura të ndryshme gjeometrike dhe lulet, do të jenë tendencat më të fundit të këtij sezoni. Për këtë pranverë, stilistët propozojnë veshje, si këmisha apo fustane me motive të ndryshme, stampime, lule ose figura gjeometrike, që krijojnë fantazi dhe dhurojnë një stil pranveror të ndryshëm. Këtë pranverë në të gjitha kamishat, fustanet, apo xhaketat do të jenë të stampuara pa fund lulet shumëngjyrëshe.