Tezat e Masterit dhe Doktoraturës, ja si do të kryhet verifikimi

Publikohet rregullorja për etikën në veprimtarinë kërkimore dhe botuese

Tezat e Masterit dhe Doktoraturës, ja si do të kryhet verifikimi

Ndërprerja e studimeve në Master, MASH: Kandidatët nuk janë të aftë t’i ndjekin

Në kuadër të reformës së rritjes së cilësisë së studimeve universitare të Masterit e Doktoratës, si dhe të kërkimit shkencor në universitete dhe qendra kërkimore, ministri Myqerem Tafaj ka nxjerrë “Rregulloren për etikën në veprimtarinë kërkimore dhe botuese”. Për herë të parë, Shqipëria ka një akt nënligjor, i cili sanksionon standarde europiane që duhet të përmbushen në të gjithë veprimtarinë kërkimore shkencore dhe botuese, që në studimet e Masterit Shkencor dhe më tej në studimet e Doktoratës dhe të veprimtarisë kërkimore shkencore e botuese në përgjithësi. Këto standarde do të ndikojnë në rritjen e cilësisë dhe transparencës në gjithë veprimtarinë kërkimore dhe botuese të universiteteve dhe qendrave kërkimore. Rregullorja parashikon, ndër të tjera, detyrimin e institucioneve dhe kërkuesve për të publikuar në faqen zyrtare të institucionit si dhe për të verifikuar me metoda bashkëkohore çdo tezë Masteri Shkencor, disertacion doktorate, monografi, libër, artikull shkencor apo referim, dhe forma të tjera të kërkimit dhe botimeve për origjinalitetin, vërtetësinë dhe plagjiaturën. Publikimi në faqen zyrtare do të mundësojë që çdo studiues dhe kërkues të njihet me punimet e grupeve të tjera kërkimore, çka do të ndihmojë në përhapjen e arritjeve shkencore brenda dhe jashtë vendit. Në një kre të veçantë të saj, rregullorja përcakton përgjegjësitë e kërkuesve, udhëheqësve shkencorë dhe institucioneve si masa që ndërmerren në rastet e konstatimit të plagjiaturës apo dukurive të tjera të ndëshkueshme në veprimtarinë kërkimore shkencore dhe botuese. Rregullorja është një akt nënligjor shumë i rëndësishëm për organizimin dhe zhvillimin e veprimtarisë kërkimore shkencore dhe botuese dhe rritjen e cilësisë së saj. Këtë rregullore do ta ketë në dorë, çdo student i Masterit Shkencor dhe Doktoratës, si dhe çdo studiues dhe kërkues tjetër i universiteteve e qendrave kërkimore.

Ndërpresin Masterat, MASH: Nuk janë të aftë t’i ndjekin

Gati gjysma e atyre që futen për Master e Doktoratura nuk arrijnë të përfundojnë ciklet në kohë. Kjo për faktin se shumë prej tyre nuk përballojnë dot vështirësitë që shfaqen në programet e këtyre cikleve, ndërkohë që një pjesë e tyre, edhe për arsye të tjera, braktisin kurset pasuniversitare, duke iu rikthyer atyre disa vite më vonë. Kjo, thonë autoritetet e arsimit, ka një efekt negativ për studentët, të cilët duhet të paguajnë një kosto edhe më të lartë për to. “Përgjithësisht, jo të gjithë arrijnë ta përfundojnë në kohëzgjatjen e caktuar dhe kjo për shumë arsye. Siç e dini ne kemi dhe Mastera që ofrohen part-time, pikërisht se ka njerëz që gjatë kohës që frekuentojnë Masterin janë dhe në marrëdhënie pune. Por një 60 për qind e studentëve e përfundojnë gjithmonë në kohën e duhur”,- shprehet Albano Zhapaj, drejtor në MASH. Ndërkohë, autoritetet e arsimit thonë se në këto cikle japin mësim pedagogë më tituj dhe të kualifikuar. Ata monitorohen hap pas hapi nga inspektorati i posaçëm. Nga ana tjetër, autoritet e arsimit pohojnë se nuk kanë pasur ankesa nga studentët në drejtim të mësimdhënies. “Kanë marrë titullin doktor, të paktën 365 persona. Vetëm për 2011-ën, 365 vetë janë të kualifikuar. Kështu që, studentët mund të rrinë të qetë, personeli që jep mësim në katedrat tona është i kualifikuar”,- thotë Zhapaj. Autoritetet e arsimit thonë se nga statistikat e deritanishme, del se masterat dhe doktoraturat më të preferuara janë ato në shkencat shoqërore dhe albanologjike. Këtë e faktojnë edhe numri më i lartë i kuotave të pranimeve nga fakultetet përkatëse.


Comments are closed.