Thaçi: Nuk kandidoj për president të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi nuk ka në plan të kandidojë për postin e presidentit. Në një intervistë për RTK-në, kreu i qeverisë tha se e kishte pasur këtë mundësi dy herë, por posti i kreut të shtetit nuk i pëlqente. “Unë e kam pasur këtë mundësi dy herë, që të zgjidhem president, por unë dua të jem person aktiv, eksplicit, dhe për këtë arsye nuk kam dashur të zgjidhem president”,-është shprehur ai.  Në të njëjtën kohë ai tha se është pak e tepërt që të jesh në tri mandate kryeministër, por menjëherë tërhoqi fjalën, duke thënë se dy mandate janë mundësitë të realizosh të gjitha planet. Thaçi tha e kishte pasur tri objektiva deri tani dhe ato ishin fitimi i luftës ndaj Serbisë, shpallja e Pavarësisë dhe integrimi në NATO. Në këtë intervistë, për herë të parë Thaçi foli me ironi ndaj gjithë kritikëve të qeverisjes së tij, veçmas për marrëveshjen me Serbinë, përkatësisht për fusnotën. “Edhe LDK, edhe UÇK kanë pasur fusnota”, tha ai ndërsa kërkoi që themeluesit e LDK-së ta shpjegojnë këtë hipotezë të tij. Një tjetër çështje ka qenë rasti Kleçka dhe Fatmir Limaj, për të cilën kryeministri u shpreh se vendimi i gjykatës ka qenë i drejtë, por i pyetur në pas lirimit Limaj e kishte rrugën të hapur për t’u rikthyer në qeveri, Thaçi tha se Limaj e ka vendin në qeveri. Kryeministri ka thënë se e mirëpret angazhimin në politikë edhe të ish-Shefit të SHIK-ut, Kadri Veseli.

Comments are closed.