Shopping Cart 0 items - $0.00 0
Shopping Cart 0 items - $0.00 0

Thirrja e Brukselit, Stano: Jeni në limitet e kohës për integrimin

Edhe në limitet më të fundit të kohës, Brukseli adreson thirrje ndaj politikës shqiptare që të votojë tre ligjet e integrimit. Një ditë para se Komisioni Europian të mblidhet dhe t’u paraqesë rekomandimin vendeve anëtare për samitin e dhjetorit, Peter Stano, zëdhënës i Komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fyle, u bën thirrje palëve politike që të veprojnë në interes të qytetarëve shqiptarë, të cilët duan integrimin në Europë. “Ne e kemi e bërë shumë të qartë në rekomandimin e Komisionit se çfarë presim nga Shqipëria, në mënyrë që ajo të marrë statusin dhe të çelen negociatat. Dhe këto janë prioritetet bazë dhe tri çështjet e mbetura, që mund t’i ripërmend: reforma e gjyqësorit, e administratës dhe rregullorja parlamentare. Ne kemi nevojë të shohim që këto çështje të mbyllen, në mënyrë që Shqipëria të ecë përpara në rrugën evropiane. Pra, kjo është një nga arsyet që këto duhen kryer që Komisioni të raportojë para vendeve anëtare dhe t’u paraqesë atyre rekomandimin për statusin. Unë nuk mund të komentoj asnjë datë, por është, me të vërtetë, shumë e rëndësishme që politikanët shqiptarë të mos humbin kohë më në plotësimin e këtyre kërkesave, të cilat kërkohen nga Komisioni dhe Bashkimi Evropian”,- deklaroi Stano. Nëse tre draftet ligjore nuk miratohen, atëherë ky fakt do të reflektohet në rekomandimin që komisioni do t’i përcjellë këshillit, dhe mund të ndodh që Shqipërisë, për herë të tretë të mos i jepet statusi i vendit kandidat.