Grabitja e bankës. Policia 10 mijë euro shpërblim për identitetin e vrasësit të arkëtares

Ngjarje e rëndë në sheshin “Shtraus”, pranë Xhamllëkut në kryeqytet. Persona të maskuar tentojnë të grabisin bankën. Arkëtarja humb jetën, roja plagoset. Në kërkim, autorët e ngjarjes

Arkëtarja e një banke në kryeqytet ka humbur jetën mesditën e djeshme, si pasojë e plagosjes me armë zjarri, gjatë një grabitjeje. Ngjarja ka ndodhur në sheshin “Shtraus”, pranë Xhamllëkut në kryeqytet. Nga të dhënat e para, mësohet se një person i maskuar dhe i armatosur ka hyrë brenda në filialin e kësaj banke, ku fillimisht, ka qëlluar mbi rojën e sigurisë, më pas është drejtuar drejt arkës, ku pas një hezitimi nga punonjësja për të dorëzuar shumën e parave të kërkuar, ka qëlluar edhe mbi të. Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, si dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Ndërkohë, të lënduarit janë dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak të Tiranës për marrjen e ndihmës mjekësore, nga ku mësohet se roja është plagosur lehtë, ndërsa punonjësja e arkës, pavarësisht përpjekjeve të bluzave të bardha, nuk ka mundur të mbijetojë dhe ka ndërruar jetë. Nuk dihet ende shuma e parave të grabitura. Ndërkohë, është shoqëruar në komisariatin Nr. 1, një i dyshuar, i cili mund të jetë autori i kësaj ngjarjeje. Dy vite më parë, i njëjti filial ka qenë objekt i një tjetër tentative grabitjeje.

 

Ngjarja

Ngjarja e rëndë, e cila përfundoi me përgjakje, ndodhi rreth orës 15.00 të mesditës së djeshme, kur zona ishte me kalimtarë të paktë, çka ka lejuar që autori apo autorët e saj të veprojnë lehtësisht. Grabitësit kanë qenë persona të armatosur, të cilët kanë hyrë dhunshëm në mjediset e bankësNBGdhe kanë shtënë me armë ndaj policit që ruante bankën dhe më tej arkëtaren, pasi këta të fundit kanë bërë rezistencë për dhënien e parave. Nga ana e policisë bëhet e ditur se si i dyshuar për këtë ngjarje është ndaluar një person, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta të policisë me në krye kryepolicin e Tiranës, Bernard Çaushaj, të cilët vijojnë intensivisht hetimet.