Këshilltarët e majtë propozojnë Dalipin në vend të Kosovrastit

 

Partia Socialiste zyrtarizoi dje aleancën me Lëvizjen Socialiste të Integrimit në këshillat vendorë. Në Tiranë u mblodhën këshilltarët e majtë të cilët propozuan që të shkarkohet Njazi Kosovrasti nga kryetar i Këshillit Bashkiak dhe në vend të tij të propozohet, Aldrin Dalipi, aktualisht, kryetar i këshilltarëve të majtë në bashki.  Një grup këshilltarësh të Këshillit Bashkiak të Tiranës, përfaqësues të PS-së e LSI-së, kërkuan sot zyrtarisht mbledhjen jashtë radhe të këtij organizmi për shkarkimin e kryetarit të tij, Njazi Kosovrasti. Sipas nënshkruesve të kësaj kërkese, arsyet pse kërkohet ky shkarkim janë: ”drejtimi jo korrekt dhe në kundërshtim me ligjin të këshillit nga ana e Kosovrastit, si dhe kushtet e krijuara pas rikonfigurimit politik të Këshillit Bashkiak të Tiranës”.

Në mbledhjen e këshilltarëve të majtë sot, ishte i pranishëm dhe anëtari i LSI, në Këshillian Bashkiak të kryeqytetit, z Shezai Rrokaj. Duke folur në takimin e organizuar me këshilltarët e majtë, deputeti i PS-së, Saimir Tahiri, deklaroi se në këtë mënyre do të synohet garantimi i votës. “Ju e patë në Kuvend dhunën e Berishës për të delegjitimuar institucionet e pavarura. Është e njëjta dhunë që demonstrohet edhe në rrugë. Vjedhje jo vetëm e mandatit të anëtarit të KQZ, por ndaj pavarësisë funksionale të institucionit suprem që ushtron zgjedhjet. Të gjithë ata që e kanë çuar nëpërmend se mund të manipulojnë zgjedhjet, se me votën e qytetarëve mund të bëjnë çfarë të duan, ne sot u deklarojme se afirmojmë vullnetin tonë për ta kthyer sistemin vendor të denjë për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, votën e qytetarëve”, tha Tahiri. Ndërsa përfaqësuesi i LSI-së, Shezai Rrokaj ka theksuar se ky vendim vjen pas cënimit të KQZ-së, që është institucioni, i cili garanton votën dhe sipas tij shumica që krijohet tashmë në Këshillin Bashkiak synon pikërisht mbrojtjen dhe garancinë e votës së qytetarëve.

‘Natyrisht ky është qëndrim politk që vjen fill pas cënimit të atij institucioni që është garant i votës dhe strukturave që kryejnë zgjedhjet. Ne kemi detyrim ta bëjmë këtë kohezion të majtë, vota nuk cënohet është e garantuar dhe kemi të gjitha mundësitë të garantojmë qytetarët e Shqipërisë, se vota do garantohet dhe nga destinacioni i qytetarit dhe do shkojë për qytetarin. Ne ta shtrijmë kohezionin tonë në pushtetin vendor se aty garantohet vota dhe aty është kontakti me qytetarin dhe aty zgjidhet vota”. Dalipi nga ana e tij theksoi se, qëllimi i këshilltarëve të majtë është që në çdo kohë ti shërbehet qytetarit.

“Qëllimi ynë që t’i shërbejmë qytetarit me vendimmarrjen tonë. Ky ka qenë qëllimi jonë kur kemi qenë vetë dhe ky do jetë dhe qëllimi pas bashkimit tonë me LSI. Ne do u tregojmë të gjithëve që së bashku, qëllimin për t’u shërbyer qytetarëve do e zhvillojmë çdo orë bashkë dhe do e dëshmojmë me LSI, në çdo vendimmarrje”.