Topalli merr mbështetjen e Britanisë së Madhe për integrimin në BE

Kryetarja e Kuvendit, zonja Jozefina Topalli, ka nisur vizitën e dytë zyrtare në Britaninë e Madhe, me një pritje të veçantë rezervuar nga Kryetari i Dhomës së Komunëve, John Bercow. E ftuar nderi nga Kryetari Bercow, Jozefina Topalli, mori pjesë në takimin konfidencial të forumit më të lartë të vendimmarrjes të Dhomës së Komunëve, ku vendoset axhenda e punimeve parlamentare. Kryetarja e Kuvendit gjatë takimit me zotin Bercow shprehu mirënjohjen, duke theksuar interesin për dinamizmin të bashkëpunimit në të gjitha fushat. Zoti Bercow tha se: “Të gjitha forcat politike në parlamentin britanik mbështesin thellësisht integrimin e Shqipërisë në BE dhe ne shpresojmë që kjo të ndodhë sa më shpejt.” Qeveria britanike ka pasur një rol shumë aktiv për pavarësinë e Kosovës, nxitjen e stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe për perspektivën e tij evropiane, dhe Kryetarja e Kuvendit tha se: “Ruajtja e vëmendjes ndaj Ballkanit Perëndimor në këtë kohë sfidash për BE-në është një mesazh shumë i qartë inkurajimi për të vazhduar në rrugën e reformave të thella që kanë transformuar vendet dhe shoqëritë tona.” Procesi i anëtarësimit në BE, tha Kryetarja e Kuvendit, përbën një interes kombëtar strategjik për Shqipërinë dhe shqiptarët. Rekomandimi i Komisionit Evropian për dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, pas miratimit të tre ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar në Parlament, përbën një njohje dhe inkurajim të progresit të shënuar dhe një arritje të gjithanshme të shoqërisë shqiptare në rrugën e integrimit evropian. Kryetarja e Kuvendit tha se pavarësisht se ky është një vit elektoral, axhenda e integrimit do të ndiqet me përparësi. Jemi thellësish të angazhuar, tha ajo, për të realizuar zgjedhje të lira, të drejta e transparente me standardet më të larta europiane. Duke vlerësuar faktin se ka shumë kompani të suksesshme Britanike që operojnë në Shqipëri, Kryetarja e Kuvendit shprehu interesin për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe nxitjen e investimeve britanike në Shqipëri, kryesisht, në privatizimin e sektorëve strategjikë si në atë të energjetikës, industrisë së naftës, sektorit të minierave dhe të turizmit. Kryetarja Jozefina Topalli tha se për të garantuar vijimësinë e rritjes ekonomike si dhe thithjen e investimeve të huaja, një paketë e re fiskale e paraqitur nga qeveria do të nisë shqyrtimin në Parlament, duke synuar një frymëmarrje më të madhe për biznesin, ekonominë, krijimin e vendeve të reja të punës etj. Zoti Bercow, pasi shprehu edhe një herë mbështetjen e Britanisë për Shqipërinë dhe procesin e saj integrues në BE, tha se kontaktet më të shpeshta si në nivel kryetarësh apo komisionesh parlamentare i shërbejnë forcimit të bashkëpunimit midis dy parlamenteve për shkëmbimin e përvojave, forcimit të miqësisë por edhe bashkëpunimit në nivel europian. Kryetarja e Kuvendit ftoi zotin Bercow për një vizitë në Shqipëri, ftesë që Kryetari i Dhomës së Komunëve e priti me shumë kënaqësi.

Similar Posts