Topalli: Reforma, zgjedhje më të mira në 2013-ën

Gjatë konferencës për “Teknologjitë e reja në zgjedhje dhe Administrimi i Zgjedhjeve”,  ishte e pranishme dhe Kryeparlamentarja Jozefina Topalli, e cila shprehu besimin e saj se kjo reformë do mund të ofrojë në 2013-ën zgjedhjet më të mira në vend. “Reforma zgjedhore është çështje kyçe në rrugën e integrimit evropian dhe përbën një nga indikatorët e matjes së progresit të rrugës së Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Për këtë arsye, që në fillim të punës së këtij komisioni, kam shpresuar se pas dy viteve te humbura, të gjitha forcat politike do të ngrihen në përgjegjësinë që i kërkon koha dhe bashkëpunimi i tyre do të shkojë përtej kalendarit politik, interesit individual, por për interesin kombëtar”,- vuri në dukje Topalli. Po në këtë linjë, Kryetarja e Kuvendit i mëshoi faktit se “reforma zgjedhore duhet të jetë në tempin e reformave të tjera në këtë vend, si p.sh ajo e infrastrukturës, jetës ekonomike të vendit, dixhitalizmit dhe transparencës së administratës shtetërore, reformat fiskale etj”. “Reforma Zgjedhore, e mbështetur në rekomandimet e OSCE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias, jam e bindur se do t’i ofrojë Shqipërisë për zgjedhjet e 2013-ës dokumentin më të mirë në historinë e këtij vendi. Baza aktuale ligjore, tek e cila mbështetet mbajtja e zgjedhjeve është cilësuar nga ODIHR-i si Kod Zgjedhor me standarde demokratike. Unë dua të besoj dhe ftoj të gjitha forcat politike parlamentare dhe aktorët e tjerë që të mundësojnë në kohën e duhur dhe me përgjegjësi profesionale amendamente të Kodit Zgjedhor, që do të jenë dhe do të certifikohen me standarde më të larta dhe do të plotësojnë shkronjë për shkronjë rekomandimet e OSCE/ODIHR-it për dy zgjedhjet e fundit”,- tha Topalli.

Comments are closed.