Topalli: Statusin e ka penguar bojkoti i opozitës

Kryetarja e Kuvendit u takua dje, me drejtorin e Drejtorisë për Evropën në Ministrinë e Jashtme të Holandës, z. Jacques Louis Werner, dhe zyrtarët që e shoqëronin atë. Kryetarja e Kuvendit bëri një panoramë të zhvillimeve në vend, duke e vlerësuar atë optimiste. “Reformat e zhvillimit ekonomik dhe Integrimi evropian janë dy shtyllat e axhendës së Parlamentit – rikonfirmoi Kryetarja Jozefina Topalli, e cila theksoi se plotësimi i 12 rekomandimeve të BE-së është program pune i përditshëm për të gjitha institucionet shqiptare. Duke u fokusuar në çështjen e statusit për vendin kandidat, zonja Jozefina Topalli vlerësoi se shqiptarët kanë një vokacion shekullor europian nisur nga identiteti historik dhe kulturor i tyre, në rajon. Kryetarja Jozefina Topalli solli në vëmendje të delegacionit të BE-së, faktin se 96 për qind e shqiptarëve e dëshirojnë anëtarësimin në BE dhe se roli i tyre në Ballkan e më gjerë, ka qenë gjithmonë në kontribut të paqes dhe stabilitetit. Më tej, Kryetarja e Kuvendit u fokusua në programin dhe vizionin ekonomik të qeverisë dhe Parlamentit në përballimin e krizës globale dhe pasojave të saj, duke shpjeguar reformat në liberalizimin e tregut, krijimin e një fryme pozitive për bizneset e huaja, përqindjen e madhe të buxhetit në infrastrukturë dhe shërbimet publike, mbajtjen nën kontroll të inflacionit, investimet në turizëm, energji dhe sektorë të tjerë të rëndësishëm, etj. Nga ana e tij, zoti Werner, vlerësoi hapat inkurajuese që Shqipëria dhe institucionet kanë bërë për integrimin evropian dhe garantoi mbështetjen e vendit të tij, në rrugën e plotësimit të standardeve. “Mentalitetit dhe dëshirës së shqiptarëve për të qenë pjesë e BE-së, duhet t’i përgjigjet me të njëjtin vullnet dhe klasa politike në vend, theksoi diplomati holandez, i cili tha se prioritet është forcimi i shtetit ligjor. Z. Werner tha se Parlamenti ka një rol kyç në ecurinë e reformave. Më tej, Kryetarja e Kuvendit shpjegoi se marrjen e Statusit e ka penguar bojkoti i opozitës për mëse dy vjet në Parlament dhe, pas këtij qëndrimi, vota bllokuese ndaj ligjeve me tri të pestat. “Por, unë u shpreh e shoh me optimizëm bashkëpunimin aktual mes palëve ne reformën zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE-ODHIR-it dhe reformës në Rregulloren e Parlamentit që ka si model rregulloren e PE-së”. Gjatë bisedës, zoti Werner, vlerësoi modelin e politikave ekonomike që po ndjek Shqipëria, për të mos u prekur nga kriza globale. Kryetarja e Kuvendit foli dhe për domosdoshmërinë e heqjes së imuniteteve të deputetëve, gjyqtarëve dhe të gjithë zyrtarëve të lartë.