Topalli uron Kosovën për hapjen e negociatave të MSA-së Kosovë-BE

 

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli uroi dje Kosovën për rekomandimin e Komisionit Evropian për hapjen e negociatave për MSA-në Kosovë-BE. Urimet e saj ajo i përcolli edhe në takimin me zotin Gjergj Dedaj, Kryetar i  Partisë Liberale të Kosovës, parti anëtare e Internacionales liberal-demokrate. Kryetarja e Kuvendit tha se me shumë kënaqësi mësova lajmin e mirë përpropozimin e Komisionit Evropian për hapjen e negociatave për MSA-në Kosovë-BE, dhe ju bëj urimet më të mira me gjithë zemër për këtë hap të rëndësishëm në rrugën europiane të Kosovës dhe për ardhmërinë e popullit të kosovës. Zoti Dedaj tha se këto urime i takojnë edhe liderëve të Shqipërisë  “Ju na keni dhënë mbështetjen, na keni dhënë kurajon por edhe mësimin për të ecur drejt vlerave të demokracisë europiane. Ju personalisht, jeni figura e një zonje që na jep zemër e shpresë.” Në shenjë mirënjohjeje e respekti zoti Dedaj i dorëzoi Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli çmimin prestigjioz “Marie Shllaku”, një prej heroinave më të njohura shkodrane që u pushkatua në moshën 24 vjeçare nga regjimi serb, për shkak të luftës së saj të paepur për çlirim të Kosovës. E prekur nga ky çmim, Kryetarja e Kuvendit tha se respekti për emrin e Marie Shllakut i bën nder Kosovës, Shqipërisë e të gjithë shqiptarëve kudo janë dhe sigurisht për mua personalisht është një nder shumë i çmuar.