Topalli vizitë në familjen Peci: Misioni i tij fisnik bën sot krenar çdo shqiptar

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli zhvilloi sot një vizitë në familjen Peci, ku shprehu urimet më të mira për kthimin në atdhe në gjendje të mirë shëndetësore të Nëntetar Aleksandër Pecit, i cili u plagos në krye të detyrës, gjatë kryerjes së misionit në Kandahar, Afganistan, më 20 shkurt 2012. Kryetarja e Kuvendit u takua me nëntetar Aleksandër Pecin, me nënën dhe familjarët duke shprehur urimet më të mira për kthimin shëndoshë e mirë të tij pranë familjes por edhe mes shqiptarëve. “Kjo ngjarje është përjetuar nga të gjithë ne, nga të gjithë shqiptarët. Jemi të gjithë të lumtur për kthimin shëndoshë e mirë të nëntetar Pecit. Misioni i tij fisnik bën sot krenarë çdo shqiptar. Ai përfaqësoi me heroizëm dhe guxim, flamurin shqiptar në një mision paqeruajtës por edhe shumë të vështirë”, tha Topalli. Kryetarja e Kuvendit falënderoi nëntetar Aleksandër Pecin  personalisht por edhe në emër të Kuvendit të Shqipërisë për kontributin e tij në kryerjen e misionit me guxim dhe heroizëm. Nëntetar Aleksandër Peci falënderoi Kryetaren e Kuvendit si dhe të gjitha autoritetet e tjera për mbështetjen e dhënë në të gjitha momentet e vështira ndërsa shprehu krenarinë e tij për të përfaqësuar me dinjitet flamurin shqiptar. “Unë ju falënderoj për mbështetjen tuaj, jo vetëm ndaj meje por edhe ndaj familjes së Kapiten Feti Voglit. Unë kam përfaqësuar Shqipërinë dhe flamurin dhe ndihem krenar t’i përfaqësoj prapë ato”, tha Nëntetar Peci.

Comments are closed.