Topi, dekoron ambasadoren Mcllwham me “Medaljen e Mirënjohjes”

Presidenti Bamir Topi zhvilloi sot një takim lamtumire me ambasadoren e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Fiona Mcllwham, e cila përfundoi mandatin e saj diplomatik në vendin tonë. Kryetari i Shtetit shqiptar, duke i cilësuar si të shkëlqyera marrëdhëniet e gjithanshme mes dy vendeve tona partnere strategjike dhe aleate, vlerësoi lart rolin e çmuar të Ambasadores në thellimin dhe konsolidimin e këtyre marrëdhënieve duke e dekoruar me “Medaljen e Mirënjohjes” me motivacionin: “Për kontribut të vyer në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore midis Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar. Për ndihmesë të çmuar në ndërgjegjësimin e shoqërisë shqiptare mbi nevojat e personave me aftësi të kufizuara dhe solidarizimin me ta nëpërmjet mbështetjes së pakursyer”. Nga ana e saj, Ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar, Fiona Mcllwham, pasi i shprehu mirënjohjen Presidentit Topi për nderimin dhe vlerësimin e lartë, vuri në dukje konsideratat dhe përshtypjet më të mira për Shqipërinë dhe popullin shqiptar si dhe për arritjet e tij, duke theksuar se marrja e statusit të vendit kandidat është objektivi madhor i Shqipërisë.

Comments are closed.