Topi: Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë ishte vendimtare

Presidenti Bamir Topi nëpërmjet një mesazhi të bërë publik sot, përshëndeti 13-vjetorin e sulmit ajror dhe ndërhyrjes ushtarake të NATO-s për t’i ardhur në ndihmë popullsisë shqiptare të Kosovës. “Sot mbushen 13 vjet nga nisja e sulmit ajror të Aleancës më të madhe të paqes e sigurisë në botë, të NATO-s, kundër politikës shoviniste dhe makinerisë ushtarake serbe. 24 marsi i vitit 1999 shënoi fillimin e fundit të regjimit diktatorial të Sllobodan Millosheviçit duke i dhënë fund njëherë e përgjithmonë gjenocidit, dhunës së pashembullt dhe shpërnguljeve me forcë ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës nga trupat ushtarake serbe. Në emër të shtetit shqiptar dëshiroj të shpreh mirënjohjen e thellë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për Presidentin Klinton, për Kryeministrin britanik Toni Bleir si dhe për të gjitha vendet anëtare të NATO-s, të cilat i erdhën në ndihmë dhe përkrahën pa hezitim popullsinë shqiptare të Kosovës duke e shpëtuar atë nga spastrimet etnike dhe dhuna më çnjerëzore e ushtruar në Evropë në fund të shekullit XX”, thuhet në deklaratën e presidentit. Ndër të tjera Topi thekson se ndërhyrja ushtarake e NATO-s në Kosovë ishte vendimtare në momentet më të vështira të historisë moderne të kombit shqiptar dhe duke u kombinuar me qëndresën e luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bëri të mundur që populli i Kosovës të fitonte lirinë e merituar, për të cilën ka sakrifikuar aq shumë duke luftuar papushim e duke derdhur gjak. Presidenti Topi thekson gjithashtu se tashmë Ballkani, i çliruar nga mendësitë arkaike të konflikteve ndëretnike, ka një realitet të ri gjeopolitik: shtetin e ri, sovran dhe të pavarur të Kosovës, perspektiva e qartë e të cilit është padyshim integrimi në gjirin e strukturave euroatlantike dhe në familjen e madhe evropiane. “Kjo u bë e mundur në sajë të operacioneve të suksesshme 78-ditore të Aleancës së Atlantikut të Veriut kundër diktaturës së Millosheviçit, kundër dhunës ndaj popullsisë civile e të pambrojtur, kundër spastrimeve dhe shpërnguljeve etnike si dhe në mbrojtje të vlerave universale të lirisë, demokracisë dhe paqes. Për të gjitha këto arsye, Kosova dhe Shqipëria si dhe i gjithë kombi shqiptar do t’u jenë përjetë mirënjohëse Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendeve anëtare të Bashkimit Evropian e të NATO-s duke vazhduar të jenë faktorë paqeje dhe sigurie në Ballkan”, thuhet në mesazhin e presidentit Topi.

Comments are closed.