Topi-Wollfarth: Kodi Zgjedhor, të parashikojë pjesëmarrjen e më shumë grave

Presidenti Bamir Topi ka pritur në një takim ambasadorin e OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth ku ndanë mendimin e përbashkët se gratë kanë një rol vendimtar në zhvillimin e shoqërisë. Në këtë takim, është biseduar edhe për reformën zgjedhore dhe për çështjen e pronës.  Pas takimit, kreu i shtetit dhe ambasadori Wollfarth u prononcuan për mediat duke e vënë theksin në simbolikën e ditës së 8 Marsit dhe urimin për të gjitha gratë. Nga ana e tij, presidenti Topi theksoi domosdoshmërinë e rishikimit të rolit të gruas në shoqërinë shqiptare dhe përfaqësimin e tyre në mënyrë të barabartë. “Gratë janë prezente në politikë, janë në institucione, janë në shoqërinë civile. Pozicioni i grave duhet të merret në konsideratë që në shkollë, në universitete, ai që thotë duhet ta realizojë. Nuk kam qenë kurrë dakord me kuotën e grave në politikën tonë. Vlerësoj OSBE dhe rolin e saj vendimtar në politikën tonë si edhe në promovimin e gruas”, u shpreh Topi. Ndërsa nga ana e tij, në lidhje me përfaqësimin e grave në politikë, ambasadori Wollfarth theksoi se kodi zgjedhor i ardhshëm duhet të sigurojë më shumë mundësi për gratë. “Duam të shohim më shumë gra kandidate. Të ketë shanse të barabarte për gratë e burrat në shoqëri”, theksoi Wollfarth. Ndër të tjera, presidenti Topi në këtë takim ka vlerësuar ndihmën e OSBE-së për reformën zgjedhore dhe për promovimin e gruas në politikë. Gjithashtu kreu i shtetit theksoi se së bashku me ambasadorin Wollfarth është diskutuar edhe për çështjen e pronave, ku sipas tij aktet administrative kanë sjellë konfuzione për pronat. “Aktet administrative kanë sjellë konfuzion. Dhe ligji për Gjykatën Administrative, nuk duhet të vonohet më”, tha kreu i shtetit.

Comments are closed.