Tsunami, ja sa ka arritur numri i të vdekurve në Indonezi

Zyrtarët në Indonezi thanë se numri i të vdekurve nga cunami i së shtunës u rrit në 373. Ndërkohë njoftohet për të paktën 1,459 të lënduar dhe mbi 100 të zhdukur. Cunami goditi bregdetin në provincën Banten.

Presidenti indonezian Joko Widodo inspektoi sot shkatërrimet e shkaktuara nga cunami përgjatë ngushticës Sunda.

“Ne ende po evakuojmë njerëzit, po evakuojmë viktimat dhe po kujdesemi për të dëmtuarit, ata që janë në klinika dhe spitale, kjo është zgjidhja për situatën e tanishme”.

Presidenti inspektoi dëmet në një vendpushim të goditur rëndë në provincën Banten, për të cilin Kryqi i Kuq thotë është një nga zonat më të prekura.

Numri i të vdekurve u rrit sot në 373. Më shumë se 600 shtëpi, 69 hotele, 60 dyqane dhe rreth 420 anije janë dëmtuar, së bashku me dhjetra makina dhe automjete të tjera.

Agjencia gjeologjike e vendit njoftoi për një shpërthim të vullkanit Krakatoa rreth orës 9 paraditen e së shtunës dhe pak më vonë goditi cunami.

Agjencia tha se nuk mund të konfirmonte nëse tsunami u shkaktua nga shpërthimi i Krakatoas, sepse ky vullkan është aktiv që nga qershori, madje me shpërthime më të forta, por kurrë nuk ka shkaktuar cunami.

Më 28 shtator të këtij viti, një tërmet dhe cunami në ishullin Sulawesi, vrau më shumë se 2,500 njerëz dhe shkaktoi zhvendosjen e rreth 70,000 të tjerëve.

Më 26 dhjetor 2004, një tërmet në Oqeanin Indian shkaktoi një cunami që shkaktoi vdekjen e 226,000 njerëzve në 13 vende, duke përfshirë më shumë se 120,000 në Indonezi.

Comments are closed.