Udhëtim për në ishullin e parajsës…

Në Republikën Dominikane, në gjurmët e Kristofor Kolombit (pjesa e dytë)

Kur kam qenë i vogël, tërhiqesha pas leximeve me udhëtime dhe me zbulime vendesh të panjohura. Ishujt përbëjnë një botë më vete. “Robinson Kruzo” i Danel Defo është libri që më ka bërë më shumë përshtypje. Nuk ka se si të mos zgjojë imagjinatën një personazh që ngelet i vetëm në një ishull në mes të oqeanit. Kështu, nga shumë e shumë ekskursione që mund të zgjidhnim përgjatë pushimeve në Puerto Plata, kolektivisht zgjodhëm të vizitojmë Isla Paraiso apo Paradise Island, në anglisht, që në shqip duhet të jetë ishulli “Parajsë”. Them kolektivisht, pasi nga Montreali u nisëm me pushime me familjen e mikut tim me origjinë siriane, Samer Dib. Por në pasditen e së premtes, një ditë para nisjes për në ishullin “Parajsë” tek po luanim volejboll, kam pasur të papriturën e këtyre pushimeve: miku im librazhdas, Shkëlqim Tola, mbërrin me pushime në një nga tre hotelet “Riu”, ku ne ishim vendosur në fillim të javës. Të gjithë pjesëtarët e familjes sime ishin në dijeni se ai kishte prerë biletat për të kaluar pushimet me familjen në një hotel pranë tonit përveç meje. Sigurisht që unë i dhashë gjithë informacionin për udhëtimin tonë dhe ai më tha se edhe ai ishte i interesuar, por më pas më tha se ishte e pamundur dhe, në fakt, përgjatë pushimeve pranverore të fëmijëve është disi e vështirë të gjesh pushime me çmime “tokësore”. Kështu, unë e mora për të qenë se miku im, Tola, nuk kishte gjetur bileta. Kur festuam pavarësinë e Kosovës, të gjithë e kishin marrë vesh se ata do të vinin në Republikën Dominikane, por një gjë të tillë ma fshehën mua për të më shkaktuar një të papritur të këndshme, në Puerto Plata. Kështu, ne i kërkuam të vinte edhe ai me familjen në ekskursion me ne në ishullin “Parajsë” dhe dihet që ai nuk thotë kurrë (ose pothuajse kurrë) jo.

Kështu, të nesërmen, ndonëse ne kishim rezervuar udhëtimin për dy familje, kompania që na organizonte udhëtimin, shtoi një taksi për familjen Tola. Kështu, u bëmë tri familje për të vizituar ishullin Parajsë. Dhe për të shkuar aty, duhej udhëtuar. Kur them duhej udhëtuar, do të thotë se vetëm vajtja dhe ardhja deri në pikën ku merrnin motobarkën ishte rreth 3 orë. Por, rruga për të shkuar në pikën e hipjes në motobarka ishte edhe një eksperiencë më vete, pasi aty kishim mundësi të shikonim Republikën e vërtetë Dominikane, atë të qytetarëve të thjeshtë. Kur udhëtuam nga aeroporti për në hotel, në mbërritje, mundëm të shikonim qytetin e Puerto Plata-s, por rrugës për në ishullin “Parajsë” pamë një Republikë Dominikane ndryshe nga ajo çka mund të shohësh në një hotel. Së pari, një natyrë e mrekullueshme ku e gjelbra nuk mungon ngado që ta hedhësh syrin, por në kontrast me të, zhvillimi i vendit duket që është si nata me ditën, krahasuar me këtë natyrë e këtë klimë të mrekullueshme. Nga ndërtesat, nga banesat, qendrat publike, rrugët, makinat, dyqanet por edhe njerëzit dukej qartë që ke të bësh me një vend të varfër. Por kur pyesim Sandron, shoferin dhe udhërrëfyesin tonë se sa banorë ka Republika Dominikane, ai na thotë se Republika Dominikane ka 11 milionë banorë, por ka edhe 2 milionë haitianë që kanë hyrë në vendin fqinjë për t’i shpëtuar urisë dhe fatkeqësive të tjera që i kanë rënë vendit të tyre në vitet e fundit. Dhe po ta krahasosh Republikën Dominikane me fqinjin e saj historik me të cilin dy vendet ndajnë një ishull, ishullin Hispanica, mund të thuash se Republika Dominikane nuk është edhe aq e varfër apo siç themi ne shqiptarët ka më keq…

Shumë burro e shumë vaca… (gomarë dhe lopë)

Gjatë rrugës për të shkuar në ishullin e famshëm, përveç ndërtesave barraka të mbuluara herë-herë me llamarina e herë-herë me kallamishte, si dhe ndërtesave të shkatërruara e të lëna gjysmë të ndërtuara, syri të zinte në rrugë shumë gomarë, të cilët dukej se shfrytëzoheshin për punë por edhe si mjet transporti për të zotët. Nëse flasim për këtë kategori edhe kuajt dhe mushkat nuk mungonin t’u bënin konkurrencë burrove (gomarëve). Me sa duket blegtoria dhe kryesisht lopët përbënin zemrën e produkteve blegtorale. Bidonët e qumështit i shihje maj gomarëve por edhe përgjatë rrugës. Qumështi i freskët furnizonte qytetin dhe kuptohet mes të tjerash edhe hotelet e shumta të Puerto Platës. Nga sa vura re në hotel, qumështi që u jepej turistëve dukej që nuk përpunohej si në Kanada dhe ishte ashtu origjinal, si në Shqipërinë e kohës sime. Sa për parantezë, kur vajza më thotë se qumështi nuk ka shijen e qumështit në Kanada, i them se është origjinal si qumështi që hanim dikur në Shqipëri dhe unë jam rritur me të, ajo ma kthen se unë jam rritur me qumësht 2 për qind (qumështi që ne konsumojmë më shumë në Kanada dhe që përbënë një standard dhe ka të njëjtën shije pavarësisht nga dyqani që e blen dhe pavarësisht se cila kompani e hedh në treg).

Vend bananesh

Një vend i ngrohtë si Republika Dominikane nuk mund të kuptohet pa fruta si banania. Rrugës për në ishullin Parajsë, përveç palmave që mbretëronin ngado, nëpër kopshte shikoje dhe banane me frutat e tyre jeshile. Tek-tuk shikoje fusha me kallam sheqeri, nga i cili, përveç sheqerit prodhohet edhe rumi për të cilin Republika Dominikane është e njohur. Prodhimi tjetër që e bën të njohur këtë vend është kafeja që kishte një aromë e shije të këndshme. Pra, nuk ishte e vështirë për të gjetur diçka për ta sjellë në Kanada. Ashtu si dhe Kuba, edhe Republika Dominikane është prodhuese e duhanit si dhe produkteve të tij si cigareve të ndryshme dhe puros. Patëm fatin të vizitojmë një punishte ku prodhojnë cigare dhe puro. Sidoqoftë, produktet dominikane të duhanit ishin të shtrenjta. Mjerë ata që tymosin.

Në gjurmët e Kolombit

Rruga për në ishullin “Parajsë” kalonte nga Isabela. Aty, Kristofor Kolombi kishte krijuar qendrën e parë të banuar në Botën e Re dhe këtë e kishte bërë gjatë udhëtimit të tij të dytë. Qendra do të shërbente për kërkimin dhe mbledhjen e metaleve të çmuara. E goditur nga dy uragane, nga sëmundje masive dhe nga uria, Kolombi më në fund e braktisi për të krijuar një qendër tjetër Santo Domingon e sotëm, kryeqytetin dominikan.

Dy familje shqiptare në ishullin “Parajsë”

Për të shkuar në ishull duhet të merrje një motobarkë që para se të na çonte në destinacion na kaloi nga një kanal ku mund të shikoje shumë specie bimësh tropikale. Një mrekulli e vërtetë. Udhërrëfyesit na shpjeguan se pemët dhe bimët që gjenden përreth shërbejnë për të mbrojtur tokën nga erozionet dhe shërbejnë si filtër në kohë shirash të rrëmbyeshëm. Por ata na treguan edhe male e kodra që dukeshin në horizont, të zhveshura nga vetë dora e njeriut dhe që ndikon për keq në gërryerjet që ka pësuar ku vend në sezonet e uraganeve që nuk mungojnë në këtë vend. Pas kësaj vizite, në këtë mrekulli të vogël, vazhdojmë rrugën për në mrekullinë e madhe, ishullin “Parajsë”. Për të shkuar në parajsë, duhet vuajtur. Kështu, motobarka që çan me shpejtësi drejt ishullit, përplaset tek dallgët dhe na e hedh ujin e kripur në fytyrë. Por u dashka paguar një çmim për të shkuar në parajsë… Sidoqoftë, pas disa minutash ishulli i vogël që është si një kreshtë e dal mbi nivelin e detit shfaqet përball nesh me sipërfaqen e tij jo të madhe por e gjitha mbuluar me rërë. Ishulli ka vetëm 6 tenda në formë kasolleje, që shërbejnë për mbajtjen e ushqimit dhe pijeve për vizitorët e shumtë që vijnë aty. Rreth e rreth ishullit, ngjyra e blu e hapur tregon se deti është i cekët por më tej ngjyra bëhet blu e thellë. Ndërmjet 2 ngjyrave ka shenja që tregojnë se nuk duhet shkuar më tej, pasi rreziku rritet. Duhet thënë se një nga aktivitetet që tërheq vizitorët aty është vëzhgimi i peshqve që janë me shumicë sidomos aty ku fillon thellësia më e madhe e detit, aty ku ata kanë edhe “folenë”. Me një maskë për të ndihmuar frymëmarrjen poshtë ujit, me një palë syza për vëzhgime nën ujë dhe me një ujë të pastër si kristal, nuk ka si të mos e konsiderosh një parajsë më vete atë çfarë duket poshtë ujit. Tufa peshqish të ngjyrave dhe përmasave nga më të ndryshmet na rrethojnë në ujërat përreth ishullit. Çfarë kënaqësie që fëmijët, por as të rriturit nuk mund t’i shpëtojnë tundimit për të parë këtë mrekulli, sidomos aty ku fillon thellësia e detit dhe ku dukshëm poshtë ujit duken koralet gjithëformëshe dhe peshqit ndihen në shtëpinë e tyre. Sigurisht, duke u siguruar që gjithçka zhvillohet nën kontrollin e më të rriturve, aty duke vëzhguar peshqit dhe duke marr rreze dielli, pa e kuptuar, kalojmë orë të tëra. Edhe kjo pjesë e bukur e ekskursionit ka çmimin e vetë. Duke qenë se kalojmë shumë momente në ujë e rërë, harrojmë diellin që “kafshon”. Vonë, fillojmë ta kuptojmë se dielli bënë punën e vetë. Shumë prej nesh fillojnë të ndiejnë efektin djegës. Vonë, pasdite, marrim rrugën e kthimit. E njëjta “vuajtje” na ndjek edhe në kthim, pra uji i kripur që na spërkat. Pastaj rruga e kthimit nën shoqërinë e Sandros dhe ato pamje që na kishin shoqëruar paradite, parcela, gomarë, kuaj, mushka dhe njerëz që rrinin rrugëve. Të papunë, në orët e tyre të pushimit, një Zot e di. Veç një gjë është e sigurt, pamjet anës rrugës nuk na dëshmojnë një vend të pasur.