Universiteti i Tiranës, 600 aplikime për shkollën e doktoraturës

 

Ciklin e tretë të studimeve në Fakultetet e Universitetit të Tiranës pritet ta ndjekin mbi 600 kandidatë. Në një prononcim për media, rektori i këtij institucioni, Dhori Kule është shprehur se masivizimi i këtij cikli nuk është problem, në rast se do të funksionojnë si duhet filtrat për të përzgjedhur studentët më cilësorë. Këtë ai e argumenton me faktin se rreth 50 % e studentëve në këtë cikël  nuk e kanë përfunduar doktoraturën në afatin e caktuar. “Kjo sjell kosto për universitetin por edhe për vetë individët që e ndjekin”,-thotë rektori Kule, i cili ju ka kërkuar fakulteteve që bëjnë gati listat për kandidatët që nuk kanë plotësuar detyrimet. “Nuk është frikë masivizimi nëse punojnë strukturat akademike, se mund të regjistrohen 200 veta dhe e përfundojnë 10. Mbi 50 % janë në proces. I kam kërkuar fakulteteve dhe departamenteve që të bëjnë një analizë që kandidatët që vërtetë janë regjistruar por nuk e përballojnë dot cilësisht detyrimin që kanë, të çregjistrohen”, shprehet Kule. Rektori ngre dhe shqetësimin se duhet të ndryshojnë rregullat se si përzgjidhen kandidatët fitues në doktoraturë. Universitet duhet të kenë më shumë autonomi në përzgjedhjen e studentëve dhe jo të vendosen rregulla nga jashtë . Këtë vit kanë ndryshuar edhe rregullat për kandidatët që duan të ndjekin  shkollën Doktorale. Ata duhet të kenë përfunduar një Master Shkencor dhe tema që do të punojnë duhet të përshtatet me kërkesat e departamenteve specifikë.