Analiza

Valter Memisha, vrojtues i hollë i fjalës shqipe

Nga Petrit Malushi

Prof. Dr. Valter Memisha, aktualisht drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, në Tiranë, në hullinë e hapur prej tij, vazhdon të japë për lexuesit shqiptarë të fushave e niveleve të ndryshme, që nga më të thjeshtat e deri tek ato akademike, punime e vepra serioze. Përqendrimi i tij është bërë kryesisht në studime të mirëfillta për gjuhësinë shqiptare dhe fjalën shqipe. Një prej tyre, dalë nga botimi kohët e fundit, është titulluar “Studime për fjalën shqipe”, me përmbledhje artikujsh, për të cilin si recensues janë dy emra të njohur të gjuhësisë shqipe, Prof. Dr. Agron Duro e Prof. Dr. Thanas Feka. Kur arrin në faqen e fundit të këtij vëllimi, duket sikur nuk i shpëton dot tundimit për t’u shprehur rreth vlerave që ai mbart, më i pakti kontribut ky për djersën e derdhur dhe mundin e shumë viteve punë nga studiuesi e gjuhëtari Memisha. Materiali që shtrihet në 303 faqe është i renditur në katër kapituj. Nga faqja 9 deri në 138, në kapitullin e parë “Studime semantike për fjalën shqipe”, janë sistemuar 12 temat: Dukuri të polisinonimisë te foljet e prejardhura në shqip, Mbiemrat prejpjesore në “Fjalorin e gjuhës shqipe” të K. Kristoforidhit, Rreth mbiemrave prejpjesorë në shqipe dhe në greqishte, Rreth normës leksikore, semantike e morfologjike të mbiemrave prejpjesorë në shqipe, Rreth emërtimeve të kafshëve në Labëri, Paradigma të veçanta fjalëformuese në leksikun dialektor të shqipes, Emrat me parashtesën mos- në shqipen standard, Rreth shndërrimit të togfjalëshit të lirë në njësi frazeologjike në shqipe, Martin Camaj dhe leksiku i munguar, Rreth intelektualizmit të leksikut të shqipes, Leksiku i shqipes standarde dhe sfidat e shekullit të ri, Rreth hapësirave huazuese të shqipes sot në nën sistemin leksiko-semantik. Kapitulli i dytë “Fjala dhe fjalori” mbush faqet 141 deri 207 me 6 temat: Rreth vargut folje-emër veprimi – mbiemër prejpjesor në fjalorët shpjegues të shqipes, Termat togfjalësha në fjalorët shpjegues të shqipes, Rreth fjalorëve shqip-greqisht dhe greqisht-shqip, Rreth sistemit emëror në Fjalorin e gjuhës shqipe të M. Elezit, Për një fjalor të vogël të shqipes standard, Rreth një fjalori shkurtesash në gjuhën shqipe. Gjashtë tema ka edhe kapitulli i tretë “Shqipja dhe për shqipen” në faqet 211-269, që janë: Vështrim për të folmen e trevës së Tepelenës, A.Z. Çajupi dhe pesha e fjalës së vendlindjes, Paradigma e shqipes te “Valët e detit” të Spiro Dines, Veçori të shenjimit gjuhësor urban në veprën e Musine Kokalarit, Dukuri gjuhësore të këngës lirike matjane, Disa përvijime për “Fillime të Gramatikës shqipe për shkollat përmetare” të Iljas Jahja Përmetit. Në kapitullin e fundit “Personalitete, vepra”, faqet 273 – 303, zënë vend 5 temat : J. Bulo për gjuhën dhe gjuha e J. Bulos (Duke lexuar “Magjia dhe magjistarët e fjalës”), Vëzhgime për leksikun në veprën e I. Kadaresë (Duke lexuar “Kadareja dhe fjala shqipe të Gj. Shkurtaj dhe të T. Caushit), Akademik Shaban Demiraj për etnogjenezën e shqiptarëve përmes onomastikës dhe toponomastikës (Kundrime për qarkun e Vlorës), Ndihmesa e prof. Jani Thomai për kuptimin dhe lëvizjen kuptimore, Akademik Jani Thomai dhe leksikografia shqipe në shek. XXI. Fjalës, peshën dhe vendin e vet Studimet e Prof. Dr. Valter Memisha, të përzgjedhura për në këtë botim, flasin për një punë shumë të kujdesshme, këmbëngulëse , voluminoze, të pashtershme, të shtrira si në rrafshin horizontal edhe në thellësi të fjalës shqipe, të funksioneve, të sistemeve, të konteksteve gramatikore e sintaksore të saj. Duket se fjala shqipe, e çdo treve shqiptare, e çdo autori apo e çdo folësi të thjeshtë, ndihet e privilegjuar kur bie në syrin, veshin dhe dorën e Prof. Dr. Memishës. Ai, si bletët punëtore, pa u lodhur, pa u mërzitur, madje me endje e shumë kënaqësi, i merr ato me përkujdesje, mbush hojet, “i mjaltëzon” nëpërmjet analizave të hollësishme, duke u lënë e vendosur çfarë kanë të domosdoshme dhe duke u hequr ç’kanë të panevojshme, i struktururon e ristrukturon në formë e kuptim në raport me gjuhën standarde, u jep peshën dhe vendin e vet. E për këtë ai kalon nëpër duar faqe të tëra librash shkencore e artistike, punimesh e kumtesash, dëgjon këngë lirike, biseda , ligjërime, urime, mallkime, pa treguar mospërfillje në asnjë rast. Vetëm pas kësaj Prof. Dr. Memisha ndihet i qetë, pasi për të fjala shqipe duhet të vihet ashtu siç i takon në shërbim të çdo shqipfolësi, lexuesve të thjeshtë e të kualifikuar, studentëve, nxënësve, mësuesve, pedagogëve, akademikëve, gjuhëtarëve e studiuesve. Valter Memisha, falë përvojës së grumbulluar nëpërmjet kontakteve në terren, në nivele të ndryshme arsimore parauniversitare e universitare, punimeve shkencore, gradave e titujve të fituar, vendosmërisë, ka kapacitete të tilla që i japin siguri për të ndërmarrë studime prirëse në rrafshe të veçanta, apo edhe të guxojë të plotësojë me argumente nga këndvështrime të reja, ku të tjerët nuk kanë depërtuar dot para tij. Ai është konkret e bindës, po aq sa i thellë, i thjeshtë e i kuptueshëm në paraqitjen e argumenteve dhe materialeve, respekton punën e të tjerëve dhe nuk absolutizon për të ardhmen. Studime semantike për fjalën shqipe “Duhet të pohohet se klasa e foljeve është nga më të studiuarat në shkencën tonë gjuhësore… Arritje të rëndësishme janë shënuar në studimin e rrafshit semantik. Por kjo nuk do të thotë se në këtë kah çdo gjë është e mbyllur dhe nuk ka më hapësira për sipërmarrje studimore të mëtejshme”,- shprehet i sinqertë Memisha, që në faqen e parë tek “Dukuria e polisinonimisë te foljet e prejardhura në shqipe”. Duke u futur në analiza shkencore, më tej në këtë temë, ai merret me fenomenet që dalin te klasa e foljeve dhe shkruan: “… foljet e shqipes, si dhe fjalët e klasat e tjera , ndahen në dy grupe të mëdha: folje njëkuptimëshe e shumëkuptimëshe… marrëdhënia kuptim/sinonim te foljet shumëkuptimëshe shfaqet mbizotëruese”. Ilustrimin e këtij konstatimi autori e bën me folje të ndryshme, ndër të cilat për foljen punoj liston 20 kuptime e 22 sinonime dhe për foljen qëndroj 18 kuptime e 14 sinonime. “Interesante dhe me dukuri të larmishme del vija e lëvizjes kuptimore gjatë krijimit të makrosistemeve kuptimore të foljeve dhe shfaqja sinonimike, e vargjeve a e grupeve sinonimike tek ato”, – vëren autori për klasën e foljeve, duke trajtuar më poshtë hollësisht rrugët e fjalëformimit të tyre: parashtesor, prapashtesor, parashtesor e prapashtesor njëherësh, apo kalimet nga klasat e emrave, mbiemrave, ndajfoljet e brenda vetë kësaj klase. Por sipas Memishës: “… polisemia te foljet e prejardhura është një dukuri semantike shumëpërmasore, me dukuri që lidhen me kuptimin dhe me lëvizjen kuptimore dhe kërkon shqyrtime më të plota dhe të thelluara…” Tek “Mbiemrat prejpjesorë në “Fjalorin e Gjuhës Shqipe” të K. Kristoforidhit, autori ka vërejtur se prej Kristoforidhit brenda këtij fjalori në mbiemrat është përfshirë edhe grupi paradigmatik prejpjesorë me rreth 400 njësi, ku 220 janë të mirëfilltë dhe 180 të emërzuar. Me interes për lexuesin është fakti që autori i ditëve tona liston dukuri të përmbajtjes së mbiemrave sipas përmbajtjes, kuptimit vepror, shpjegimet e mbiemrave me perifrazim, sinonimi, antonimi a dukuri të tjera jo vetëm brenda shqipes, por edhe në kalimet shqip – greqisht. Ndërkohë, te dukuritë strukturore studiuesi është fokusuar mbi anën morfologjike të mbiemrave. Me mbiemrat prejpjesorë Memisha merret edhe në vijim te “Rreth mbiemrave prejpjesorë në shqipe dhe në greqishte”, ku pohon se në këtë punim të shkurtër është bërë objekt studimi grupi paradigmatik i mbiemrave prejpjesorë, të cilët, në secilën nga të dy gjuhët, shfaqen deri diku me veçanti leksikore e semantike dhe, së shumti, me veçanti morfologjike. “Formimi i tyre (mbiemrave prejpjesorë) në gjuhën shqipe, në thelb është një proces dyshkallësh: folje (pjesore)- mbiemër… Në greqishte procesi është më i tejdukshëm … Procesi i fjalëformimit këtu është trishkallësh: folje-pjesore-mbiemër”, është një nga pohimet e mëposhtme të këtij studiuesi, që vështrimin në këtë plan e ka hedhur edhe te gjuhët anglisht, italisht e rusisht. “Në greqishte, – bën një tjetër dallim Memisha,- kemi një zgjidhje leksikografike të kushtëzuar nga tradita. Ndryshe ndodh në shqipe. Mbiemërzimi i pjesores është një rrugë shumë prodhimtare për pasurimin e klasës së mbiemrave”. Te ky vëllim, autori mbiemrave prejpjesorë u ka kushtuar edhe punimin: ”Rreth normës leksikore, semantike e morfologjike të mbiemrave prejpjesorë në gjuhën shqipe”. Qëndrimi i tij në rreshtat e këtij shkrimi është sa mbështetës për pasurimin e gjuhës shqipe, po aq edhe kritik për krijimin e fjalëve të reja, kur shkelen rregullat gramatikore apo për disa huazime krejtësisht të panevojshme. “Formalisht, me ndihmesën e nyjës së përparme, çdo pjesore kthehet në një mbiemër dhe sot, veçan në ligjërimet shkrimore, vërehet lehtësisht përdorimi i mbiemrave të tillë dhe, ç’është më interesante, vërehet një prirje e skajshme për formimin e tyre. Jo rrallë, sidomos në publicistikë e në përkthime, ndeshesh me formime mbiemrash që nuk ndjekin asnjë ligjësi morfologjike a semantike. Mbiemërzimi shumë shpesh ka karakter rastësor, të paqëndrueshëm dhe mundësitë e krijimit të tyre kapërcejnë shpesh edhe përtej rregullsive paradigmatike (semantike etj.) të fjalëformimit “(f. 41). “Në ligjërimet e shkruara, vihet re se shumë kuptime të foljeve po pasurojnë strukturën kuptimore të mbiemrave prejpjesorë. Procesi i krijimit të mbiemrave prejpjesorë është i hapur. Ata shfaqen me përdorim atributiv e predikativ” (f. 42-43). Në përfundim të këtij punimi gjuhëtari Memisha vëren “… se po formohen shumë mbiemra prejpjesorë a po zgjerohen kufijtë e strukturave kuptimore të tyre, sidomos në ligjërimet e shkruara, nganjëherë në kundërshtim me ligjet e normën leksikore, semantike e fjalëformuese të shqipes” (f. 46). Një punim sa origjinal po aq edhe interesant në këtë kapitull është “Rreth emërtimeve të kafshëve në Labëri”, që mbart mesazhin se, është populli i thjeshtë ai që e ruan dhe e pasuron gjuhën, është ai që i pranon, u jep jetë ose i injoron fjalëformimet e reja me brumin e vetë shqipes, apo të huazuara nga gjuhë të tjera. E për këtë autori shprehet: ”Bariu lab, i ndodhur në më të shumtën e kohës në gjirin e natyrës e në krye të tufës, shfaqet si vëzhgues e si dallues i hollë i ngjyrave e i nuancave të tyre, i shenjave në trupin e këtyre kafshëve, i ndërthurjes dhe i shpërndarjes së këtyre shenjave, duke krijuar me rrugë e me mjete të larmishme gjuhësore e nga më prodhimtaret emërtime të shumëllojshme”. Merita më e madhe e Memishës në këtë rast është në faktin tjetër që për çdo fjalë, togfalësh, njësi frazeologjike, kur ndeshet apo është në kërkim, nuk qëndron indiferent, ndërsa duhet pranuar se të grumbullosh 8000 njësi leksikore e frazeologjike të natyrës blegtorale, kontaktet me terrenin blegtoral duhet t’i kesh të shpeshta, gjë që vështirë se dikush tjetër mund të sakrifikojë në këtë drejtim. Ai edhe një njësie gjuhësore, që gjatë ligjërimit të përditshëm është më se e zakonshme, arrin t’i japë vlerat reale në kontekstet gjuhësore, historike e shoqërore. “Ka emërtime që motivohen nga njëngjyrësia e trupit të kafshës nga ndërthurja e ngjyrave në të gjithë trupin, mbi një shenjë në ballë, etj. Në gojën e barinjve dhe të popullsisë së lidhur me jetën baritore gjallojnë emërtime që dalin me përdorime dyshe: si fjalë të përbëra dykryegjymtyrëshe, por me tri ose katër tema fjalëformuese dhe motivuese, si emërtime të pathjeshta etj”,- vëren në analizën e tij Prof. Dr. Valter Memisha. Në materialin e sistemuar në faqet pasardhëse trajtrohet “Paradigma të veçanta fjalëformuese në leksikun dialektor”. Ndër të tjera, autori shprehet: “Pasuria leksikore ndahet në dy grupe të mëdha paradigmatike: në emërtime të mirëfillta fjalë dhe në njësi frazeologjike. Njësitë frazeologjike vetëm sa motivohen nga togfjalësha të lirë por që kanë në përbërje një emërtim që lidhet me kafshët… Grupin e dytë, më të madhin dhe kryesorin, e përbëjnë emërtimet e mirëfillta për kafshët… Te këto emërtime, si pjesë e leksikut dialektor, dallojmë tre tipa gjuhësorë: tipin leksikor, tipin fjalëformues dhe tipin fonetik..” (f. 61-62). Ilustrimi i pohimeve të mësipërme bëhet me një numër të konsiderueshëm shembujsh. Nga klasa e emrave në këtë botim, drejtori i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë , ka përzgjedhur “Emrat me parashtesën mos- në shqipen standarde”. “Një grup paradigmatik, i hapur dhe me mundësi shumë të mëdha pasurimi, është edhe ai i emrave me kuptim mohor të formuar me parashtesën mos-,… Në shqipen standard parashtesa mos-, me origjinë nga pjesëza mohuese mos-, shërben për formimin e emrave, të mbiemrave, të përemrave dhe të ndajfoljeve me kuptim mohues a të kundërt”,- e fillon këtë punim autori

Gjatë analizës më tej shkruhet “Grupin paradigmatik të emrave të formuar me parashtesën mos- e përshkojnë dy linja kryesore. Linjat që lidhen me madhësitë themelore që marrin pjesë në fjalëformim, pra linja trigjymtyrëshe ndajshtesë-temëfjalëformuese-njësi emërore dhe linja që lidhet me rrafshin semantik, me semantemat dhe me ndryshimet kuptimore që sjell formati fjalëformues”. Vëmendjen e prof. dr. Memishës e ka tërhequr edhe shndërrimi i togfjalëshit të lirë në njësi frazeologjike në shqipe. Rreth këtij fenomeni ai shprehet: ”Pranohet se, përgjithësisht, njësitë frazeologjike janë formuar nga shndërrimi i figurshëm i shkallëshkallshëm i togfjalëshave të lirë. Një çështje e cekur në punime të ndryshme, por e patrajtuar gjerësisht, është ajo e mjeteve që realizojnë shndërrimin e figurshëm, një proces ky shumëplanësh dhe i ndërlikuar. Ne po ndalemi te krahasimi, metafora, metonimia, sinekdoka dhe hiperbola, duke iu drejtuar, kështu motivimit semantik dhe shkallës së këtij motivimi”. “Martin Camaj është një ndër shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë shqiptare dhe autori më me peshë në diasporën shqiptare pas Luftës së Dytë Botërore”,- e ka nisur kumtesën “Martin Camaj dhe leksiku i munguar”, autori i librit “Studime për fjalën shqipe. Sipas këtij autori, leksiku i Camajt përfshin njësi të njohura, pak të njohura a të panjohura dhe mund të kundrohet nga disa prerje, ndërkohë që fjalori i veprës së tij përbëhet nga dy grupe të mëdha njësish: nga grupi i njësive nga leksiku i gjuhës amtare dhe nga grupi i njësive të krijuara nga vetë Camaj. “Në prozën e M. Camajt, ndër të tjera, merr jetë jo vetëm fjala shqipe e ajo gege, por edhe shumë fjalë të reja, të krijuara prej tij, sipas gjedheve të shqipe, që përbëjnë një pasurim horizontal të fjalorit mbarëkombëtar”,- është një prej dhjetëra mendimeve e shembujve të tij, të shprehur për këtë gjeni të letërsisë moderne shqipe, gjatë ligjërimit të kësaj kumtese, pa mundur dot që në një shkrim të këtyre përmasave të përfshijmë më tepër nga materiali i servirur. Po edhe kaq mendojmë se është e mjaftueshme për të joshur lexuesin mbarëshqiptar që të mos humbasë rastin për të marrë në dorë librin e autorit Memisha, ku vlerësimet dhe ilustrimet për Camajn janë ndër më të mrekullueshmet. Për një gjuhëtar të niveleve sipërore siç është Prof. Dr. Valter Memisha, çdo dukuri që mund të ndodhë me gjuhën shqipe nuk mund të kalohet pa u vënë re. E në këtë kontekst, një prej punimeve të tij ka qenë “Rreth intelektualizmit të gjuhës shqipe”, në fokus të së cilit janë dukuritë e pas viteve ’90 të shekullit të kaluar e në vazhdim. “Intelektualizmi leksikor, ka qenë një proces i pandalshëm dhe i natyrshëm gjatë gjithë zhvillimit historik të gjuhës sonë. Për këta 20 vjetët e fundit është pohuar, jo njëherë se gjuha jonë amtare ka qenë dhe është përpara sfidash të mëdha… Që modernizimi dhe intelektualizmi i leksikut të shqipes ka qenë dhe është një proces në rritje të vazhdueshme, vërehet lehtësisht në fjalorët e ndryshëm , njëgjuhësh e dygjuhësh”,- argumenton ky autor, duke shtjelluar e analizuar më tej një material të konsiderueshëm, në mbështetje të temës, prej të cilit po sjellim edhe një fjali nga paragrafi përmbyllës “Intelektualizmi si proces përfshirës duhet të na ndihmojë që të pengojmë a të ndalojmë ngritjen e fjalorit të rrugës në mjet shprehjeje”. Thuajse në të njëjtën linjë, Memisha qëndron edhe në dy kumtesat pasuese “Leksiku i shqipes standard dhe sfidat në shekullin e ri” dhe ”Rreth hapësirave huazuese të shqipes sot në nënsistemin leksiko-semantik”. Për më tepër këtu i mëshon faktit “Gjuha është sistem dhe proces, çka do të thotë në mënyrë të natyrshme dhe të padiskutueshme që edhe standardi jo vetëm është varietet i kodifikuar, por edhe i hapur për zhvillime të ndryshme. Standardi është normëzim, është kodifikim, është rregullim i ndërgjegjshëm… Procesi i hapjes ka sjellë në të gjitha ligjërimet e shqipes ardhjen e shumë fjalëve të panevojshme, që jo vetëm kanë zvogëluar vlerat e fjalës shqipe, por që kanë çuar edhe në një shpërfillje ndaj kësaj fjale” (f. 126,134). Fjala dhe fjalori. Studimin “Rreth vargut folje – emër veprimi – mbiemër prejpjesor në fjalorët e shpjegues të shqipes”, që përfshihet në pjesën e dytë të botimit, Memisha e ka përfunduar pasi ka kaluar nëpër duar FGjSH 1954, FGjSSh 1980 dhe FSHS 1984/2002. Opinionet rreth kësaj dukurie, për secilin fjalor,apo të veçantat dhe të përbashkëtat midis tyre, ai i shpreh qartë. “Në FGjSh 1954 gjenden 3585 vargje, nga të cilat: folje –emër veprimi –mbiemër përpjesor 173, folje – emër veprimi 938, folje 2167, folje-mbiemër prejpjesor 202, emër veprimi-mbiemër prejpjesor 1, emër veprimi 41, mbiemër prejpjesor 63”,- ndërkohë që evidentime të tilla e analiza fjalëformimi janë bërë edhe për dy fjalorët e tjerë. Një moment tjetër përkushtimi i këtij autori për fjalën shqipe duket edhe në: “Termat togfjalësha në fjalorët shpjegues të shqipes”, te të cilët ai është përqendruar në: sasinë e termave togfjalësh, cilët terma do të kenë përparësi, kufiri i togfjalëshit terminologjik, karakterin e lidhjeve të përbërësve të termave togfjalësh, emërtimet e pathjeshta e termat e pathjeshtë, vështrimi i tyre në rrafshin strukturor”, e më tej. Ndryshimet, në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit të kaluar dhe dhjetë vitet e para të shekullit të ri e në vazhdim, brenda vendit tonë e përtej kufijve shtetërorë, kanë qenë shumëplanëshe, pa lënë kurrë jashtë aspektin gjuhësor. Prof. Dr. Valter Memisha këtë fenomen e ka rrokur dhe e ka shtjelluar në rreshtat e kumtesës “Rreth fjalorëve shqip – greqisht dhe greqisht-shqip”. Trajtesa është e gjerë që nga kushtet historike të bashkëjetesës së dy vendeve, imponuese edhe për bashkëjetesën e dy gjuhëve, lëvizjet e njerëzve që shoqërohen edhe me mbartjet e fjalëve, hartimi dhe përdorimi i fjalorëve që më herët e tani në kohët moderne, kushtet e hartimit të tyre, formimi arsimor e gjuhësor i hartuesve, qëllimet dhe faktorët e hartimit, niveli gjuhësor në raport me gjuhën standarde, analiza të fjalëve dhe shprehjeve në sistemet e paradigmat gjuhësore. “Fondi i fjalorëve dygjuhësh greqisht-shqip dhe shqip-greqisht përfshin edhe fjalorë të tjerë të botuar nga dashamirë të njërës apo tjetrës gjuhë, sidomos fjalorë me një numër të vogël fjalësh, fjalorë shprehjesh të etnokulturës… Shumë prej tyre janë punë që nuk kanë asgjë të përbashkët me një vepër leksikografike të mirëfilltë. Për të mënjanuar përdorimin e tyre që së shumti sjell pasoja negative, lind si e domosdoshme që të organizohet dhe të institucionalizohet hartimi dhe botimi i fjalorëve të vegjël praktikë, i fjalorëve shkollorë dhe i fjalorëve të tipit të mesëm. Qarqet akademike dhe universitare duhet ta kenë përparësi edhe këtë objektiv”,- konkludon Memisha. Problemet që lindin me fjalët në fjalorët, ky gjuhëtar i shtjellon dhe te: “Rreth sistemit emëror në fjalorin e gjuhës shqipe të M. Elezit”, “Për një fjalor të vogël të shqipes standarde” dhe “Rreth një fjalori shkurtesash në gjuhën shqipe”. “Fjalori i M. Elezit ka veçoritë e veta, me prurje dhe me mangësi. Ai, tashmë ka ardhur te ne”,- shkruan në një paragraf studiuesi, ndërsa për temën e dytë vëren se mungojnë ende disa tipa fjalorësh për shqipen , si një fjalor i madh i shqipes standard e një fjalor “thesaurus”, që do të pasqyronin sa më gjerë pasurinë tonë leksikore, frazeologjike e semantike. Shqipja dhe për shqipen Kapitullin e tretë “Shqipja dhe për shqipen” autori e ka filluar me kumtesën “Vështrim për të folmet e trevës së Tepelenës”. Në faqet e kësaj kumtese zënë vend faktet se e folmja e Tepelenës vështruar nga rrafshi i varianteve gjuhësore gjeografike, përfshihet në dialektin e toskërishtes jugore, pasi lumi i Vjosës merret si kufi ndarës i toskërishtes veriore dhe jugore, ndërsa edhe toskërishtja jugore del me dy degëzime të mëdha: me labërishten dhe çamërishten. Ndër veçoritë e të folmes së Tepelenës, autori përmend: zanorja a e theksuar në Kurvelesh del shpesh ë; asimilimi i grupeve të bashkëtingëlloreve mb, nd, ngj, përkatësisht në m,n,nj; shurdhimi i bashkëtingëlloreve të zëshme , sidomos në fund të fjalës; kontraktimi i zanoreve etj. “E folmja e Tepelenës,- pohon pas listimit të një numri të konsiderueshëm argumentesh Memisha,- ka peshën dhe vendin e vet në formimin e gjuhës letrare te njësuar. Ajo ka edhe tipare të dialektit jugor në të gjitha nënsistemet dhe me lëndën gjuhësore të përbashkët dhe atë që ka marrë prej të dy të dy dialekteve, ka formuar sistemin e vet mbidialektor, me normë të njëjtë për të gjithë”. “A. Z. Çajupi dhe pesha e fjalës së vendlindjes”, është një tjetër studim i përfshirë në pjesën e tretë të këtij botimi, rreshtat e të cilit, të mbushur me shembujt e përzgjedhur, sjellin para syve të lexuesit perlat e zagoritit dhe admirimin e mirënjohjen e autorit për punën e paqme gjuhësore që Çajupi ka bërë. Ja një fragment: “Ai e mori brumin gjuhësor të vendlindjes, e përdori mjeshtërisht, e pasuroi me fjalë e shprehje, me lidhje të reja nga më mbresëlënëset, e pasuroi me nuanca kuptimore e risemantizoi një pjesë të madhe të leksikut, e luftoi fjalën e huaj deri në habi, duke e ngritur gjuhën amë në ato lartësi që vetëm Naim Frashëri e kishte bërë para tij”. “Paradigma e shqipes te “Valët e Detit” të Spiro Dines”, është një tjetër punim që ka tërhequr vëmendjen e prof. dr. Valter Memishës. Edhe këtu ashtu si te punimi për Çajupin, ai është ndalur për prurjet disapërmasore të Dines. “Pardigma e shqipes si vlerë kombëtare,-shkruan Memisha,- zbulohet në poezitë kushtuar rilindësve a mëmëdhetarëve, vjershat kushtuar albanologëve të huaj, poezitë me temë patriotike, ato që lidhen me marrëdhëniet me grekët e qreqishten, ajo shfaqet përciptazi edhe në onomastikë e konkretisht në fushën e emrave vetjakë të shqiptarëve”. “Të gjithë rrafshet gjuhësore në veprën e M. Kokalarit markojnë, shenjojnë, mbartin mesazhe shumëkahëshe, e , njëherazi, diferencojnë mjedisin qytetës gjirokastrit”,- shkruhet në faqen 241 të botimit, nën temën “Veçori të shenjimit gjuhësor urban në veprën e Musine Kokalarit”, materiali i së cilës shtrihet në 14 faqe. Analiza në këtë rast është e orientuar në mjetet gjuhësore të së folmes gjirokastrite si nënvariant i variantit dialektor jugor, përveçimi i ligjërimit artistik, regjistrat mbresëlënës të komunikimit, sjelljen e jetës urbane si copëza mozaiku, dukuritë karakteristike për të folmen e qytetit të Gjirokastrës në rrafshin morfologjik, ndërtimet e paradigmave të zgjedhimit dhe të lakimit, fjalët dialektore, frazeologjia, rrafshi sintaksor, etj. Por për një gjuhëtar të kompletuar, objekt studimi nuk janë vetëm veprat, qofshin këto letrare, shkencore, apo krijime të trevës së tij. Kështu ka ndodhur edhe me Memishën që, edhe pse lindur në mjedisin tepelenas, tërhiqet e shfleton me shumë ëndje krijimtarinë e autorëve verorë e kosovarë, apo lirikën popullore si te “Dukuri gjuhësore të këngës lirike matjane”. “Që në krye e pohojmë ,- shkruan autori,- se në lirikën popullore matjane, si në mbarë lirikën popullore shqiptare , ndeshim një fjalor të zgjedhur”, e më tej shton: “Po japim shkurt pasurinë gjuhësore përmes figurshmërisë, ku vërejmë se shpesh ka jo vetëm përdorime, por edhe kuptime të figurshme të fjalës”. Fragmentet e këngëve të sjella para lexuesit për ilustrim shoqërohen edhe me ndërthurjen e figurave letrare si: krahasimi, epiteti metaforik, metafora, simboli, shqyrtimet gjuhësore në rrafshin fonemor e morfemor, fjalësor e fjalëformues, sintaksor e tekstor. “Disa përvijime për “Fillime të gramatikës për shkollat përmetare” të Ilias Jahja Përmetit” , është punimi që mbyll pjesën e tretë të këtij botimi. “Fondi i traditës i gjuhës shqipe,- shprehet Memisha që në fillim,-ngërthen një numër jo të vogël gramatikash , të hartuara nga autorë shqiptarë dhe të huaj, në Shqipëri e jashtë hapësirave të saj. Në këtë fond gjendet dhe kjo gramatikë, për të cilën po ndalemi, duke paraqitur në vija të përgjithshme vlerat e mangësitë që ajo mbart”. Dhe më poshtë. duke qëndruar në këtë pozicion, ai pasi jep konsiderata për rëndësinë, trajtimin e dukurive gjuhësore dhe qëllimin e veprës së Ilias Jahja Përmetit në kohën e botimit, e tani si pjesë e fondit, ndalet në elemente të sistemit gramatikor e sintaksor të këtij materiali në raport me shqipen e sotme standarde. Sipas studiuesit, pjesën më vëllimore, më të plotë e më të arrirë në Gramatikën e I. Përmetit e zë ajo që merret me morfologjinë . Punimi përmbyllet me një tabelë të gjatë dykolonëshe terminologjike, të pranëvëna; ato të qëmtuara prej Gramatikës së I. Përmetit dhe gjuhës së sotme standarde, në krye të së cilës Memisha shkruan: “Për të dhënë të plota vlerat e gramatikës, si dhe për të lehtësuar sado pak punën e një përdoruesi a studiuesi të saj , po japim terminologjinë e përdorur në të ,duke përqasur në atë bashkëkohore”. Personalitete, vepra “Personalitete, vepra”, pjesa e katërt e botimit të Prof. Dr. Valter Memishës, mbart shkrime analitike për vepra të botuara nga personalitete të gjuhës shqipe, apo punime të tyre për fjalën shqipe. “Jorgo Bulo, me të drejtë ndan shqetësimin se shqipja sot kërcënohet seriozisht nga ardhja e panevojshme e shumë fjalëve të huaja, e idiomave gjoja kulturore e deri te ndërtimet e panevojshme sintaksore prej gjuhëve perëndimore, – mbështet autori te “Jorgo Bulo për gjuhën dhe gjuha e Jorgo Bulos (Duke lexuar “Magjia dhe magjistarët e fjalës)”. Në vijim, ndër të tjera, lexojmë se: me interes të jashtëzakonshëm për lexuesin e studiuesin, por veçanërisht për arkivistin dhe gjuhëtarin është dritarja që J. Bulo hap në fushën e leksikografisë; gjuha e J. Bulos ka vendin dhe peshën e vetë në studimet tona dhe ka krijuar stilin e vet të paraqitjes së vlerave; gjuha e veprës së tij është sa shqipe, aq dhe shkencore, sa e rrjedhshme aq edhe argumentuese; fjala e sintaksa e saj janë të qarta, të pastra. “Në projektet e Prof. Shkurtaj, ka qenë që herët shestimi për një studim të gjerë e të thellë të universit të fjalës kadareiane. Mjaftoi një fjalës prej 2000 njësish leksikore nga ky univers, të qëmtuara dhe të shoshitura prej studiuesit T. Caushi, që studiuesi të shkonte te gjeniu i letrave,- hedh mendimin e tij , vrojtuesi i fjalës shqipe, Memisha, te “Vëzhgime për leksikun në veprën e I. Kadaresë (Rreth librit “Kadareja dhe fjala shqipe” të Gj. Shkurtaj dhe të T. Caushit””, ndërkohë që Kadareja shikohet si një nga personalitet më të fuqishme e më ndikuese në procesin e pasurimit dhe të pastrimit të shqipes së sotme, të intelektualizmit dhe demokratizimit të saj. “Akademik Shaban Demiraj për etnogjenezën e shqiptarëve përmes onomastikës dhe toponomastikës”, është një tjetër punim i këtij botimi që ka kërkuar vëmendjen e autorit, nga i cili po shkëputim vetëm një fragment: “Në veprën e profesorit gjejmë informacion shkencor, por edhe metodën e studimit. Në punime të shumta përgjithësisht është zbatuar e gërshetuar me mjeshtëri, me profesionalizëm dhe frytshmëri të lartë studimi gjuhësor e ai historik, studimi etnografik e ai gjeografik, studimi sociolinguistik e ai arkeologjik, studimi krahasues e ai përqasës”. Dy punimet e fundit, të cilat prof.dr. Valter Memisha i ka përfshirë në botimin për fjalën shqipe, përmbajnë materiale për “Ndihmesa e prof. Jani Thomait për kutpimin dhe lëvizjen kuptimore” dhe “Akademik Jani Thomai dhe leksikografia shqipe e shek. XXI”. Në punimin e parë vlerësohet puna dhe kontributi i pamatshëm i prof. J. Thomait për botimet gjithë  pëfshirëse të sistemeve të gjuhës shqipe, e veçanërisht për leksikografinë. E, në punimin e dytë ai shkruan konkretisht: “Vëmendja e profesorit, gjatë viteve të punës, por edhe tani, nuk është shkëputur asnjëherë nga detyra të tilla, si plotësimi i spektrit tipologjik leksikografik të shqipes, rritja e cilësisë shkencore, nxitja e kritikës shkencore e studimeve teorike në këtë fushë, shfrytëzimi i përvojave botërore e bashkëkohore, botimi e përhapja e fjalorëve, përdorimi i mjeteve dhe metodave kompjuterike në leksikografi, forcimi i bashkëpunimit dhe i shkëmbimit të përvojave, përgatitja e leksikografëve etj”. Gjykuar, jo vetëm nga numri i punimeve për gjuhën shqipe të përfshira në këtë vëllim, por edhe nga tematika e larmishme e tyre në plot punime e botime të tjera, problematika që rroket, argumentet bindëse në mbështetje apo jo, të çështjeve të parashtruara e të shtruara nga studiues vendas e të huaj, orientimi në debate dobiprurëse, niveli i lartë shkencor i demonstruar e shumë elemente te tjera, të cilët është e vështirë të përfshihen në rreshtat e një shkrimi, emri i Prof. Dr. Valter Memisha ka zënë një vend komod në aureolën midis emrave të tjerë, të nderuar, të studiuesve dhe gjuhëtarëve të gjuhës shqipe.

Lexoni edhe: