Veriu paralajmëron themelimin e “Kuvendit të krahinës autonome”

 

Disa mijëra serbë janë tubuar sot në veriun e Mitrovicës, në sheshin “Shumadija”, për të protestuar kundër marrëveshjes së arritur në Bruksel më 19 prill, ndërmjet dy kryeministrave, të Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq. Në protestën me moton “Veriu i Kosovës mbetet pjesë e Serbisë”, protestuesit e kanë cilësuar marrëveshjen e Brukselit si tradhti të Beogradit ndaj serbëve të veriut të Kosovës dhe interesave kombëtar e shtetëror të Serbisë. Përfaqësuesit e serbëve me aklamacion i kanë refuzuar të gjitha pikat e marrëveshjes. Këtë ua ka thënë protestuesve përfaqësuesi i serbëve të Leposaviqit, Slavko Stevanoviq. “Konstatoj se njëzëshëm e kemi hedhur poshtë marrëveshjen e Beogradit me Prishtinën, duke pasur parasysh që kjo marrëveshje e shkel Kushtetutën e Republikës së Serbisë dhe i heq institucionet e saj në veriun e Kosovës. Populli i Serbisë, i cili jeton në këtë pjesë të vendit nuk do të lejoj zbatimin e marrëveshjes, sepse me këtë  do ta pranonte shtetin e rrejshëm të Kosovës”, ka thënë Stevanoviq. Sipas tij, i gjithë procesi i dialogut, përfshirë edhe marrëveshjet e arritura, janë bërë në kundërshtim me vullnetin e serbëve të veriut të Kosovës. Gjithashtu, në protestën e organizuar në veriun e Mitrovicës, është kërkuar që populli i Serbisë të sqarohet lidhur me marrëveshjen përmes një referendumi. Stevanoviq i ka porositur serbët e veriut se përfaqësuesit e tyre kanë ardhur në përfundim se ka ardhur koha për themelimin e “Kuvendit të Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë”. “Ka ardhur koha për themelimin e Kuvendit të Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë. Ky Kuvend do të ketë karakter të përkohshëm, për shkak të rrethanave në të cilat po themelohet”, theksoi Stevanoviq. Ai ka shtuar se ky “kuvend” do të përbëhet prej këshilltarëve nga Mitrovica, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqit. Gjithashtu, sipas tij, këtij “kuvendi” do të mund t’i bashkëngjiten delegatët e të gjitha kuvendeve të komunave serbe, siç tha ai, të krahinës, sikurse edhe kuvendi i komunave të bashkësive kombëtare.

Siç kanë theksuar përfaqësuesit e serbëve të veriut, i ashtuquajturi “Kuvend” do t’i ketë aktet e përkohshme dhe do të vlejë deri në nxjerrjen e ligjit të posaçëm për autonominë esenciale të, siç thuhet, “Krahinës autonome  të Kosovës dhe Metohisë” dhe se nuk do të lejojë zbatimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilën e kanë quajtur të turpshme. Në anën tjetër, mediet serbe e kanë cituar zëvendësin e shefit të Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Kërstimir Pantiq, të ketë thënë se përpara serbëve të veriut të Kosovës janë tri rrugë – ajo kah Prishtina, ajo kah Beogradi dhe rruga e tretë, të cilën ai e ka quajtur të pasigurt. “Rruga e tretë është rruga e pasigurt, rrugë me rrezik, por edhe rruga e vetme e mundur”, ka thënë Pantiq. Ndryshe, protesta e serbëve ka kaluar e qetë dhe pa ndonjë incident.