Vërtetohet teoria e Ajnshtajnit për valët gravitacionale

collage_movieShkencëtarë nga mbarë bota kanë bërë me dije zbulimin e ekzistencës së valëve gravitacionale, të parashikuara nga Albert Ajnshtajni 100 vjet më parë. Valët që lidhen me binomin hapësirë-kohë, pritet të hapin dritare të reja rreth universit. Sipas shkencëtarëve, ky është zbulimi më i madh pas Big Bengut dhe strukturës së ADN-së.

Misteri është zbardhur pasi vrojtimit të përplasjes mes dy vrimave të zeza super të ngjeshura në laboratorin LIGO në Luiziana të Shteteve të Bashkuara. Nga përplasja mes tyre është krijuar një tjetër vrimë e zezë, masa e së cilës është 62 herë më e madhe se ajo e Diellit. Përplasja zgjati vetëm 20 të mijtat e sekondës, por prodhoi energji 50 herë më të madhe se të gjithë yjet e marrë së bashku. Teoria është mbështetur fuqishëm nga profesor Stefen Hauking, i cili është ekspert i vrimave të zeza. “Valët gravitacionale na japin një mundësi krejt të re për universin. Zbulimi i tyre pritet të revolucionarizojë astronominë”, tha ai.

Ç’janë valët gravitacionale? Albert Ajnshtajni i zbuloi ato para 100 vjetësh. Valët gravitacionale janë dridhje në sistemin hapësirë-kohë. Sipas teorisë së përgjithshme të relativitetit të Ajnshtajnit, hapësirë-koha nuk përbëhet nga boshllëk, por është si një lloj “pëlhure” katërpërmasore e cila mund të mblidhet dhe tërhiqet. Sikurse një dorë krijon valë në ujë, Ajnshtajni mendonte se objektet e rënda krijojnë valë të ngjashme në hapësirë-kohë. Këto valë shkaktohen nga ngjarje të mëdha në univers, si Big Bengu apo përplasjet e vrimave të zeza.

Ato nuk zgjasin shumë ndaj janë të vështira për t’u kapur. LIGO është një sistem i krijuar pikërisht për këtë qëllim. Ai përbëhet nga dy sensorë që pikasin këto dridhje të vogla nga valët. Për kapjen e tyre punohej prej më shumë se dhjetë vjetësh. Gjetja e tyre na ndihmon të kuptojmë ligjet themelore të gjithësisë si dhe të vërtetojmë plotësisht teorinë e përgjithshme të relativitetit. Gjithashtu mund të na japin të dhëna të çmuara për shpjegimin e fenomeneve kozmike, madje edhe për të vërtetuar krijimin e universit. /shekulli/

Comments are closed.