Vetëm medalje bronzi për Kelmendin në Evropian

 Majlinda Kelmendi zhgënjen sërish. Edhe pse e nisi me medalje aventurën e evropianit që po zhvillohet këto ditë në Budapest të Hungarisë, Kelmendi nuk arriti më shumë se bronzi edhe pse synimi i saj ishte titulli kampion. 22-vjeçarja nga Peja mori pjesë në garimin për disiplinën 52 kg ku u rendit e treta dhe rrëmbeu vetëm medaljen e bronzit. Edhe pse cilësohej si një nga favoritet e kësaj kategorie, xhudistja kosovare nuk arriti ta priste biletën e finales pasi u dorëzua në sfidën përballë italianes Odette Giuffrida. Në faqen zyrtare të evropianit, theksohet se ky rezultat është një dështim për kosovaren që kishte pritshmëri të mëdha nga vetja e saj por që gjithsesi duhet të kënaqet me këtë medalje, pasi ashtu si në olimpiadë, ajo u tregua e nxituar duke e pësuar nga gabimet personale. Kelmendi, u paraqit nën siglën e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, pasi Federata Kosovare e Xhudos nuk njihet ende si anëtare me të drejta të plota në federatën ndërkombëtare. Medalja e artë në këtë disiplinë shkoi për xhudisten ruse Natalia Kuzyutina, e cila mposhti në finale rumunen Andreea Chitu.