Vëzhgim/ Tirana, kryeqyteti i kontrasteve. Kazinotë, çdo 100 metër nga njëra-tjetra, rritet numri i frekuentuesve

Shqiptarët, të dhënë pas lojërave të fatit dhe manisë për të nxjerrë të holla mjaft lehtë. Disa, të zhytur në varfëri dhe disa të tjerë… notojnë në luks

Shumë vende europiane janë pllakosur nga kriza ekonomike dhe kjo nuk mund të mos reflektohet dhe në vendin tonë. Por, nga pamjet që të fal kryeqyteti shqiptar, ku çdo 100 metër mund të shohësh kazino apo dyqane të lojërave të fatit – nuk të krijohet përshtypja se ky vend po njeh krizë ekonomike. Metropoli shqiptar mund të quhet mjaft mirë, kryeqyteti i kontrasteve. Aty mund të gjesh nga të gjitha kategoritë e njerëzve, duke nisur nga ata që lypin dhe ata që dallohen për markat më të fundit të rrobave apo parfumeve. Ndonëse Shqipëria është një vend i vogël, diversiteti që ekziston mes shtresave sociale është i madh dhe mjaft evident. Lidhur me këto probleme, në vendin ku shpeshherë vihet në pikëpyetje nëse ekziston vërtet kriza, gazeta “Republika” ka bërë një vëzhgim për sa i takon numrit të kazinove në metropol. Kështu, nga vëzhgimet e kryera, vihet re se numri i këtyre aktiviteteve ka marrë një përhapje të madhe, tamam siç çelin kërpudhat pas shiut. Çdo 100 metër të zë syri kazino dhe dyqane të lojërave të fatit, të cilat gjithmonë kanë frekuentuesit e tyre të rastit, por dhe të pronotuarit. Ironia e fatit luan me disa shtresa sociale, të cilat, në shumë raste, lënë peng emrin e tyre në ndonjë bllok a fletore tek tregtarët për të marrë ushqimet e përditshme. Ndërsa disa të tjera, luajnë dhe kuvendojnë nëpër këto ambiente, hedhin me mijëra lekë, duke qenë të vendosur të humbin apo fitojnë me çdo kusht. Mania e lojërave të fatit ka pushtuar pothuajse të gjithë të rinjtë (dhe jo vetëm), të cilët, të fiksuar të harxhojnë dhe qindarkën e fundit, në lutje për të fituar një shumë të majme, duket se asnjëherë nuk lodhen. Histori pa fund mund të dëgjosh për këtë mani të shqiptarëve, por veçse personazhet janë të ndryshëm. Ndërkaq, të habit fakti se si këto kazino mbushen plot në kohën kur njerëzit nuk kanë një punë dhe i mungojnë paratë, madje dhe për të mbajtur familjen. Aty ku numri i të papunëve po rritet, duket se po shkon në përpjesëtim të drejtë me numrin e personave që luajnë bixhoz. Duke biseduar me disa të rinj rreth kësaj çështjeje, kuptuam se ata shkojnë në këto pika vetëm për të siguruar para xhepi. Mania e re që ka pushtuar frekuentuesit e këtyre kazinove, është përhapur si epidemi, e cila godet shumë familje jo vetëm të kryeqytetit, por dhe nëpër rrethe të tjera. Madje, duhet thënë se shumë prej këtyre frekuentuesve, vijnë nga familje të varfra. Ndonëse ata mund të harxhojnë një vlerë të konsiderueshme në këto vende, ata nuk e kanë për turp të lënë emrin e tyre peng në ndonjë fletore borxhesh tek dyqani më i afërt i lagjes. Personazhe të tilla mbeten peng kudo, si në ambientet e kazinove, ashtu edhe jashtë tyre.

 

Sa harxhojnë shqiptarët për lojërat e fatit

Mesatarisht, çdo shqiptar shpenzon 178 dollarë në vit në lojëra fati, sa mesatarja e BE-së. Por kur krahason të ardhurat për frymë, atëherë vendosim rekord. Ndërsa shumë industri përballen me pasojat e krizës, ka një degë të ekonomisë, e cila lulëzon dhe është ajo e lojërave të fatit. Pikat e basteve sportive, kazinotë dhe sallat e lojërave të fatit, të përhapura në çdo lagje, janë dëshmia më e mirë e hovit që ka marrë industria e lojërave të fatit në Shqipëri, gjatë viteve të fundit. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave në vitin 2010, tregu formal i lojërave të fatit ishte 184 milionë dollarë dhe në vetëm dy vjet është rritur me mbi 12 për qind. Të dhënat tregojnë se, aktualisht, çdo shqiptar shpenzon në bixhoz mesatarisht rreth 6570 lekë në vit. Por ky është vetëm tregu legal i lojërave të fatit. Duhet thënë se çdo shqiptar shpenzon mesatarisht 178 dollarë në vit në lojërat e bixhozit, një shifër kjo gati e përafërt me mesataren e Bashkimit Europian. Por, nëse krahasohet me të ardhurat për frymë, rezulton se shqiptarët luajnë në bixhoz shumë më tepër se sa qytetarët e pasur të BE-së.

Si etiketohet kumari

Ekspertët e cilësojnë kumarin si sëmundjen e vendeve të varfra. Individë të dëshpëruar nga gjendja e vështirë ekonomike, joshen nga lojërat e fatit. Kjo bën që kostot sociale të jenë të larta. Madje, në shumë raste, rezultati është tragjik. Familje që rrënohen apo edhe më keq, individë që të zhytur në dëshpërim shkojnë deri në ekstrem, duke i dhënë fund jetës. Bixhozi është një shërbim i veçantë dhe ndryshe nga sa ndodh me produktet apo shërbimet e tjera në treg, kërkesa për të nuk ndikohet nga politika fiskale. Në vetëm dy vjet, taksat e bixhozit janë rritur disafish. Në 2010-ën, qeveria arkëtoi nga kumari 54 milionë dollarë taksa ose gati 2.5 herë më shumë se në vitin 2008. Por sërish, kjo nuk e ka tkurrur tregun – ai vazhdon të rritet me ritme të larta.

Kur kanë nisur të praktikohen lojërat e fatit në Shqipëri

Nëse në botë kumari daton mjaft herët, në Shqipëri lulëzimin e pati pas viteve ’90, kohë kur të gjithë u sulën drejt bingove apo lojërave të fatit, duke u joshur nga fitimet e lehta. Pak fituan, shumë humbën duke lënë fitimet e një jete në to. Ndryshonte vetëm loja, nga e kuqe – e zezë, te me vrimë – pa vrimë e deri te zaret e hedhur në ruletë apo deri te pokeri më elitar. Qëllimi, në fund, mbetet i njëjtë: të fitosh pa bërë asgjë. Të gjithë ata që praktikojnë këto lojëra gënjejnë veten se po vunë 2 lekë, do fitojnë 10. Fati mund të të buzëqeshë një herë, por herën e dytë buzëqeshja mund të ngrijë përgjithmonë. Pronarët e kazinove dhe të lojërave të fatit nuk kanë moment më të mirë për shtimin e të ardhurave se ky, ku gjithnjë e më shumë njerëz hedhin zaret në ruletat e tyre, duke iu shtuar të ardhurat, të cilat, më pas, edhe ata në reaksion zinxhir, ia derdhin qeverisë. Duhet thënë me plot gojën se kazinotë dhe qendrat e tjera të lojërave të fatit po sfidojnë seriozisht baret dhe kafenetë. “Sëmundja” e re e kapitalizmit që ka gjetur strehë në vendin tonë, po çon më shumë në rrënimin dhe degradimin e shumë familjeve shqiptare. Ndaj, natyrshëm, lind dhe pyetja: Duhet t’ia vëmë fajin një krize, që refuzohet me të fortë se nuk ekziston, apo ngasjes se shqiptarëve u pëlqen të bëjnë para në rrugën më të shkurtër të mundshme.

 

Taksat për ushtrimin e këtyre aktiviteteve

Taksat për ushtrim veprimtarie në fushën e lojërave të fatit për baste sportive, baste për gara në pistë, për kazino, për kazino elektronike, për lotari kombëtare, janë si më poshtë;

– Për baste sportive 2 000 000 lekë/vit;

– Për baste, për garat në pistë 2 000 000 lekë/vit;

– Për kazino elektronike 1 000 000 lekë/vit;

– Për marrjen e liçensës për lotari kombëtare 300 000 000 leke;

Për kazino:

– Për Tiranën 1 000 000 000 lekë;

– Në zonat turistike 300 000 000 lekë.