Virozat e stinës, rritet numri i të prekurve

Rritet numri i të prekurve nga virozat e stinës dhe shkak për këtë është bërë ndryshimi i ndjeshëm i temperaturave.  Vetëm gjatë dy ditëve të fundit në poliklinikat e kryeqytetit numri i fëmijëve dhe të moshuarve që kanë simptoma të gripit është dyfishuar. Pas fundjavës së ngrohtë, e hëna dhe e marta janë shoqëruar me ulje të ndjeshme të temperaturave me disa gradë, gjë që ka ndikuar në shëndetin e të vegjëlve. Vetëm në pediatrinë e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, numri i vizitave ka shkuar në 150-200 raste në ditë. Ndërkohë, sipas mjekëve një rritje të ndjeshme ka regjistruar numri i shtrimeve për shkak të infeksioneve respiratorë. Specialistët thonë se duhet të tregohet kujdes i veçantë me veshjen. Sipas tyre është mirë që edhe dieta ushqimore të pasurohet me më shumë kalori, për të përballuar ndryshimin e temperaturave. Mjekët këshillojnë gjithashtu që të evitohen daljet në temperatura të ulëta gjatë orëve të mëngjesit dhe të mbrëmjes. Ndërkohë që rekomandojnë prindërit që për çdo shqetësim t’i drejtohen mjekut të familjes, duke shmangur përdorimin pa recetë të antibiotikëve. Ulja e temperaturave përbën problem edhe për të sëmurët kronikë dhe të moshuarit. Në këtë rast personat që kanë probleme shëndetësore, duhet të konsultohen me mjekun specialist dhe të përdorin rregullisht medikamentet.