Vizita në Tiranë, Arifi takime me Nishanin e Topallin

Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin

Çështjen e statusit do e vendosin shqiptarët

Zëvendëskryeministrja e Maqedonisë, Teuta Arifi, gjatë vizitës së saj në Tiranë është pritur në takime të veçanta nga Presidenti Nishani dhe Kryeparlamentarja Topalli.

Pas shkëmbimeve të kortezisë, Presidenti Nishani shprehu kënaqësinë që faktori shqiptar po luan një rol të rëndësishëm për proceset demokratizuese dhe integruese të Republikës së Maqedonisë si edhe në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona, të cilat përbëjnë një shembull të bashkëpunimit të fqinjësisë së mirë për rajonin e Ballkanit.

Presidenti Nishani i konsideroi përpjekjet për reformat dhe arritjen e standardeve evropiane si mënyrën e vetme që qytetarëve të vendeve tona t’u ofrohen shërbime të standardeve evropiane. Në vijim, zëvendëskryeministrja Arifi, pasi shprehu dakordësi me opinionet e Presidentit Nishani, u shpreh se integrimi euroatlantik mund të shfrytëzohet nga vendet e Ballkanit për të përshpejtuar proceset demokratizuese dhe për të adresuar problemet etnike në një frymë të re evropiane. Presidenti Nishani dhe Zëvendëskryeministrja Arifi ndan të njëjtin mendim se përgatitja dhe zbatimi i projekteve ndërkufitare dhe rajonale janë instrumente në shërbim të zgjidhjes së problemeve ekonomike dhe sociale të qytetarëve në të dyja anët e kufirit, mundësi për nxitjen e lëvizjes së lirë të qytetarëve, për zgjerimin e tregut dhe daljen në tregjet përtej rajonit si dhe për përfitimin e mbështetjes financiare evropiane. Procesi i integrimit europian dhe partneriteti për thithjen e fondeve të BE-së për projekte rajonale ishin temat kryesore të bisedës mes Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli dhe zëvendëskryeministren e Maqedonisë, Teuta Arifi. “Votimi në Parlamentin tuaj i tre ligjeve të kërkuara nga Brukseli është shumë i rëndësishëm, pasi ata që humbin janë qytetarët. Si vend kandidat, Maqedonia përfiton fonde të shumta nga BE-ja dhe statusi rrit mundësinë e thithjes së fondeve që ndikojnë direkt në mirëqenien e qytetarëve”,- u shpreh Arifi gjatë fjalës së saj. Ndërkohë që Kryetarja e Kuvendit tha se “çështjen e statusit do e vendosin shqiptarët, të cilët në mbi 94 për qind duan vendin në BE, pasi ata janë europianë”. Kryeparlamentarja Topalli theksoi se vendet e rajonit tonë duhet të rrisin partneritetin për realizimin e projekteve të mëdha infrastrukturore nga fondet e BE-së, pasi këto projekte janë punësim, janë mirëqenie, janë ekonomi, janë afrim më i madh politik e njerëzor mes vendeve tona.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin