Vlorë, muzeu në rrezik. Qindra objekte në lagështirë

 

Rrezikon të shkatërrohet i gjithë fondi i muzeut Historik- Etnografik të Vlorës. Objektet prej tre vjetësh janë të gjitha në tokë, pasi mungojnë stendat. Këshilli bashkiak ka miratuar fondin për pajisjen me stenda vetëm të katit të parë të muzeut, por paratë nuk janë dhënë ende, ndërsa për katin e dytë nuk ka asnjë mundësi që objektet te ekspozohen. Lagështira, dëmtimet që mund të ndodhin gjatë lëvizjes së objekteve nga njëri vend në tjetrin po i çojnë ato drejt shkatërrimit të plotë. Prej tre vjetësh vizitorët mund të shohin vetëm objektet e mëdha të baltës, ndërsa ato të voglat më interesantet dhe më me vlerë ruhen të mbyllura në zyrat e muzeut.  “Ky është viti i tretë që po kalojmë pa stenda, godina e Muzeut.  Por shpresojmë sepse u premtua nga Ministria e Kulturës, para kremtimeve të 100 vjetorit të pavarësisë, por nuk u realizua. Ndërsa Këshilli Bashkiak dhe Bashkia ka akorduar gati gjysmën e fondit që i nevojitet Muzeut për stendat dhe vendosjen e objekteve të arkeologjisë “- Skënder Spahiu,Drejtori i Muzeut Historiko-Etnografik. Ishte premtuar që për 100 vjetorin e pavarësisë muzeu do të bëhej funksional, por vizitorët nga të gjitha trojet shqiptare nuk patën mundësi të njiheshin me historinë e qytetit. Inventari i Muzeut numëron rreth 200 objekte arkeologjike dhe historike që i përkasin qytetërimeve të hershme të krahinës së Orikut, Olipias dhe Amantias. Po ashtu në të janë të materializuara edhe luftërat e zhvilluara në krahinën e Labërisë.