Westerwelle: Gjermania – partner i ngushtë i Kosovës

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Berlin, është pritur sot nga ministri i Punëve të Jashtme i Republikës Federale të Gjermanisë, Guido Vestervele.
Dy ministrat kanë biseduar për proceset në Kosovë, fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, avancimin e agjendës integruese evropiane dhe thellimin e bashkëpunimit bilateral.

“Republika e Kosovës ka pas një qasje shumë serioze dhe konstruktive në këtë dialog. Andaj, pavarësisht epilogut të tij, Bashkimi Evropian duhet të fillojë dialogun për MSA-në me Republikën e Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.

Vestervele dhe Hoxhaj gjatë takimit janë dakorduar se pavarësisht epilogut të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, Kosova do të ketë perspektivë të qartë evropiane.
Në këtë pikë, ministri Hoxhaj ka kërkuar mbështetjen e Gjermanisë që perspektiva evropiane të mos ndërlidhet me epilogun e dialogut.
“Republika e Kosovës ka pas një qasje shumë serioze dhe konstruktive në këtë dialog. Andaj, pavarësisht epilogut të tij, Bashkimi Evropian duhet të fillojë dialogun për MSA-në me Republikën e Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.
Ministri i Jashtëm gjerman, Vestervele, ka theksuar se nuk mund të lejohet që një shtet që i ka bërë si duhet detyrat e shtëpisë të dënohet, për shkak të hezitimit të të tjerëve.
“Ne përkrahim një politikë afruese të BE-së, e cila e vlerëson çdo shtet veç e veç, të cilat përmbushin kriteret. Nëse janë të gatshëm për dialog, nëse janë të gatshëm të modernizojnë ekonominë, që të forcojnë strukturat demokratike dhe që të jenë të gatshëm që të ketë sundim të ligjit”, tha Vestervele. Ndërsa, Hoxhaj ka shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës që ky proces të rezultojë me normalizimin e situatës në veri të Kosovës, që Republika e Kosovës dhe ajo e Serbisë të normalizojnë marrëdhëniet bilaterale dhe që dy shtetet e pavarura të bëjnë hapa konkret drejt BE-së.
“Ne shpresojmë që kjo marrëveshje të pranohet në ditët e ardhshme”, tha Hoxhaj, duke theksuar rëndësinë që çdo marrëveshje që mund të arrihet, të implementohet.
Sa i përket hapave integrues, Hoxhaj tha se Republika e Kosovës ka vetëm një aspiratë nacionale, integrimin evropian.
“Ne nuk do të eksportojmë Kosovën në Bruksel, por do të ndërtojmë një Kosovë evropiane brenda Kosovës”, tha Hoxhaj, duke bërë të ditur se tashmë janë përmbushur të gjitha kriteret.