Wollfarth apel për KQZ-në: PS të dërgojë emrat në Kuvend

 

“Partia Socialiste duhet të dërgojë brenda afateve ligjore emrat për të zëvendësuar të larguarit nga Komisioni Qendror Zgjedhor”. Kjo kërkesë i është drejtuar opozitës nga Eugen Wollfarth, ambasador i OSBE-së, i cili u ka kërkuar palëve politike që të punojnë në ekip për garantimin e zgjedhjeve me standard.  “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk mund të funksionojë kështu, por duhet të jetë i plotë, pasi nuk është e rëndësishme të caktohet se kush e ka fajin, rëndësi ka që të gjithë të japin një kontribut pozitiv. Një kontribut pozitiv dhe për këtë duhet dialog. KQZ duhet të punojë me 7 anëtarë dhe partitë duhet të paraqesin propozimet brenda afateve ligjore. Të përgatisësh zgjedhjet do të thotë të punosh në ekip. Palët mbi të gjitha duhet të kenë mirëkuptim mes tyre për të garantuar procesin zgjedhor me standarde”, deklaroi Wollfarth. Edhe ambasadori i BE-së, Ettore Sequi, kërkoi që politika shqiptarë të kthejë besimin e qytetarëve tek vota. Ai deklaroi se për BE-në thelbësore është të zhvillohen zgjedhje me standard. “Për Bashkimin Europian është thelbësore që zgjedhjet të zhvillohen sipas standardeve evropiane dhe ndërkombëtare. Kjo është më rëndësi pasi ku do të jetë një test për një fuksionim sa më të mirë të institucioneve demokratike dhe gjithashtu për të pasur progres në rrugën drejt Bashkimit Europian. Një mesazh tjetër që tha Baronesha Ashton është edhe pavarësia e institucioneve dhe gjithashtu do të doja të theksoja edhe një mesazh të fuqishëm që është ndërtimi i besimit te votuesit. Sipas pikëpamjes evropiane, është ndërtimi i këtij besimi, ajo për të cilën kanë nevojë shqiptarët”, është shprehur Sequi. Bllokimi i KQZ-së erdhi pasi Parlamenti votoi për zëvendësimin e anëtarit të propozuar nga LSI, Ilirian Muho. Pas tij, dorëheqje të menjëhershme dhanë edhe nënkryetari Denar Biba dhe Albana  Shtylla, të dy të propozuar nga Partia Socialiste.