OSBE, 15 vjet në Shqipëri, Wollfarth: Kontribut nëpërmjet bashkëpunimit

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri shënon sot 15-vjetorin e krijimit të saj, në një veprimtari të mbajtur në Kuvendin e Shqipërisë, të organizuar nga Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli dhe Kryetari i Prezencës, Ambasadori Eugen Wollfarth. Në fjalën e tij, ambasadori Wollfarth tha se OSBE mund të japë kontribut vetëm nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë me të gjithë partnerët shqiptarë dhe ndërkombëtar. Po ashtu ai theksoi se debati demokratik mundet e duhet të zërë vend vazhdimisht dhe se dialogu mes partive politike mbetet pjesë e rëndësishme e punës së parlamentit. “Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka punuar në fushën e reformës zgjedhore, legjislative, gjyqësore, të pronës dhe reformës administrative, në ngritjen e kapaciteteve të parlamentit, në luftën ndaj trafikimit dhe korrupsionit, në zhvillimin e medias, promovimin e qeverisjes së mirë, si dhe ka ofruar asistencë në fushën e policisë dhe sigurisë, barazisë gjinore dhe zhvillimit të shoqërisë civile. Por në të gjitha këto, mendoj se duhet theksuar se Prezenca e OSBE-së mund të japë kontribut vetëm nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë me të gjithë partnerët tanë shqiptarë dhe ndërkombëtarë”, tha Wollfarth. Sipas tij, dialogu mes partive politike është një zhvillim i cili duhet të vazhdojë akoma më tej, ashtu sikurse nuk duhet të mungojnë edhe reformat e mëtejshme parlamentare. “Sa i takon reformave të nisura presim realizimet e tyre shumë shpejt, kompromis, drejtësi dhe element i mirë janë disa nga elementetë që duhet të shoqërojnë punën e faktorit politik në shqipëri. OSBE po jep rolin e ndihmën e saj përsa i takon punës në reformën zgjedhore. Infrastruktura parlamentare mbetet pjesë e rëndësishme e punës që është bërë dhe që duhet bërë”, nënvizoi Wollfarth.

Comments are closed.