Wollfarth: Reforma zgjedhore, jo në momentet e fundit

Kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth, flet për Radion DW: 

Mosgarantimi i pronësisë përbën një pengesë për investimet 

– Zoti Ambasador, Kuvendi i Shqipërisë i dha, së fundi, një afat kohor shtesë komisionit parlamentar që merret me reformën zgjedhore. Megjithëse nga faktori ndërkombëtar ka apele sistematike që kërkojnë realizimin sa më parë të kësaj reforme, megjithëse nga politika ka deklarime për gatishmëri për të punuar së bashku – në planin konkret – hapat duken të ngadaltë dhe mjaft çështje me peshë të reformës zgjedhore nuk janë prekur ende. Sipas pikëpamjes suaj, a mendoni se do të ketë një finalizim në kohë të shqyrtimit të të gjitha rekomandimeve që ka lënë ekipi i vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it apo gjithçka do të lihet “për minutën e fundit”, siç ka ndodhur më parë?

Të gjitha kampet politike duhet t’i lexojnë raportet e OSBE/ODIHR-it për vitin 2009 dhe 2011, në tërësi. Rekomandimet që përmbajnë këto raporte duhen shndërruar në një reformë të suksesshme të kodit zgjedhor. Nevojitet që reforma të përfundojë në kohë dhe mjaft para zgjedhjeve. Duhet treguar një vullnet edhe më i madh politik. Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën e Kodit Zgjedhor po punon dhe progresi i kësaj pune po bëhet i dukshëm. Megjithatë, është e nevojshme që ky proces të përshpejtohet dhe intensifikohet, sepse kanë mbetur ende një sërë çështjesh thelbësore për t’u diskutuar. Ajo që ka më shumë rëndësi është përmbajtja. Për këtë arsye, nevojitet një përfundim në kohë, por edhe cilësor i këtij procesi, që vjen si rezultat i një pune konstruktive nga të gjitha palët. Në fund të fundit, është një proces shqiptar dhe u takon shqiptarëve ta çojnë përpara. Janë shqiptarët ata që duhet ta dëshirojnë këtë më shumë sesa komuniteti ndërkombëtar. Unë inkurajoj Komisionin Parlamentar dhe çdo anëtar të tij të përdorin sa më mirë kohën e mbetur, deri në fund të prillit, në mënyrë që të kryejnë një reformë të plotë dhe të një cilësie të lartë. Veprimet e marra në minutën e fundit nuk janë asnjëherë të mira mjaftueshëm dhe kësaj here nuk do të funksiononte.

– Cili është angazhimi konkret i përfaqësisë së OSBE-së në Shqipëri për reformën zgjedhore?

Prezenca e OSBE-së ndihet e inkurajuar nga fakti që procesi ka filluar dhe po e ndjek nga afër. OSCE/ODIHR-i po i ofron asistencë teknike Komisionit të Posaçëm, në kuadrin e një projekti të Prezencës së OSBE-së, në mbështetje të reformës zgjedhore, financuar nga Mbretëria e Bashkuar. Ekspertët e OSBE/ODIHR-it kanë kryer disa vizita në Tiranë, gjatë dy muajve të fundit ku janë takuar me aktorë të rëndësishëm vendas dhe kanë ofruar ekspertizë teknike, në lidhje me projekt-ndryshimet e diskutuara në Komisionin e Posaçëm Parlamentar. Në javën e ardhshme, Prezenca do të ndihmojë Komisionin e Posaçëm, me organizimin e një tryeze të rrumbullakët të rëndësishme për reformën e kodit zgjedhor, ku do të marrin pjesë deputetë, politikanë, përfaqësues nga shoqëria civile dhe ekspertë ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias. Jam i bindur se do të jetë një tryezë shumë pozitive dhe e suksesshme.

– Prej afër 1 dekadë, OSBE asiston autoritetet në Shqipëri, për reformën e pronësisë. Në planin konkret, ky proces ecën shumë ngadalë, edhe pse për këdo është e qartë se moszgjidhja e çështjeve të pronës, përveç se është burim konfliktesh, është dhe një nga arsyet që frenon dhe spraps investimet e brendshme dhe të huaja, për të cilat ekonomia shqiptare mbetet nevojtare. Çfarë pengon, sipas jush, në zgjidhjen e problemit të pronësisë në Shqipëri?

Mosgarantimi i pronësisë përbën një pengesë për investimet private dhe publike dhe huadhënien. Këto çështje do të mbeten të pazgjidhura derisa të ketë progres në zhvillimin e një strategjie gjithëpërfshirëse të reformës së pronës. Strategjia nevojitet, gjithashtu, për të ofruar siguri, për të shmangur konfliktet dhe për të formuar bazën e zhvillimit ekonomik. Strategjia duhet të krijojë një vizion të qartë dhe gjithëpërfshirës. Ajo duhet të krijojë dhe të reflektojë konsensus publik në lidhje, me qëllimin e dëshiruar të reformave, dhe të përcaktojë hapa konkretë dhe një afat kohor të arsyeshëm dhe realist për përmbushjen e këtij qëllimi. Edhe pse një strategji nuk mund të kënaqë të gjithë partnerët, ajo duhet të përfaqësojë një kompromis të aktorëve të përfshirë për të pasur reforma të qëndrueshme. Një tjetër shqetësim përbëjnë pretendimet e pazgjidhura të ish-pronarëve për kompensim apo kthim të pronave të konfiskuara gjatë regjimit të mëparshëm. Deri më tani, shumë pak ish-pronarë kanë parë zgjidhje të kërkesave të tyre. Procesi është ngadalësuar nga një debat lidhur me autoritetin e agjencisë përgjegjëse për çështjen e pronave. Duket se ka edhe një mungesë transparence dhe konsultimesh në hartimin e legjislacionit të pronave. Nevojitet një përforcim i koordinimit midis qeverisë dhe agjencive përkatëse, sepse aktualisht, shohim një mungesë të panevojshme efiçense dhe mbivendosje përpjekjesh. Mungesa e një kuadri strategjik ka çuar në planifikim të dobët dhe në ndarje të pamjaftueshme të buxhetit të nevojshëm për të siguruar zbatimin e plotë.

– Zoti Ambasador, OSBE ka pasur dhe ka në proces, gjithashtu, dhe projekte që lidhen me qeverisjen e mirë, një ndër aspektet e së cilës është dhe lufta kundër korrupsionit. Në rast se do t’u referohemi raporteve të besueshme ndërkombëtare për nivelin e perceptimit nga publiku shqiptar për korrupsionin, shifrat ose kanë mbetur në vend, ose janë përkeqësuar. Si e vlerësoni ju këtë gjendje?

 Në kuadrin e luftës kundër korrupsionit, qeveria ka miratuar ndryshime të Kodit Penal, në lidhje me veprat e korrupsionit nga zyrtarë të huaj dhe në lidhje me vendosjen e gjobave të konsiderueshme në rastet e korrupsionit në sektorin privat. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka bërë progres në punën e vet, duke përfshirë edhe shtimin e rasteve të ndjekjes penale, të zyrtarëve të korruptuar, të niveleve të ulëta e të mesme. Futja e sistemeve të prokurimit elektronik, në administratën publike pakëson kontaktet mes autoriteteve kontraktuese dhe ofruesve, duke ulur si rrjedhojë mundësitë për korrupsion. Megjithatë, mbetet ende problem çështja e hetimit të zyrtarëve të lartë shtetëror, të akuzuar për korrupsion, për shkak të mungesës së ndjekjes së mëtejshme nga Prokuroria. Një historik më i mirë vendimesh gjyqësore dhe dënimesh të përshtatshme dhe/apo gjobash për rastet e zyrtarëve të lartë shtetërorë, të përfshirë në korrupsion, do të ishte i nevojshëm për rivendosjen e besimit të publikut. Së fundi, lufta kundër korrupsionit do të ketë sukses kur të gjitha palët politike të punojnë së bashku, në vend që ta keqpërdorin këtë luftë për interesat e tyre vetjake.

– Pas dy refuzimeve që i janë bërë Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE, a besoni se këtë vjeshtë do të përmbushet ky angazhim?

Mendoj se kjo është një pyetje që u duhet drejtuar përfaqësuesve të Bashkimit Evropian. Megjithatë, do dëshiroj të them se për të ecur përpara me axhendën e reformave, nevojitet një zgjidhje vendimtare dhe bashkëpunim konstruktiv për të gjitha fushat kryesore të reformës me dhe brenda në Parlament, i cili është mekanizmi për një vendimmarrje të përbashkët dhe ky mbetet një tregues vendimtar, nëse Shqipëria do të ecë përpara apo jo. Unë jam optimist se mund të arrihet progres i konsiderueshëm. Kjo është plotësisht në duart e Shqipërisë.

Comments are closed.