Xhamia, Bashkia vendos për projektin e ri

Pas miratimit të propozimit të Komunitetit Mysliman për ndërtimin e Xhamisë së Re, Komisioni ka shqyrtuar propozimet, për mënyrën e projektimit të Xhamisë së Re. Njoftimi thekson se anëtarët e komisionit për Xhaminë janë njohur fillimisht me të gjitha projektet e sjella në konkursin e zhvilluar rreth një vit më parë. Pasi kanë parë propozimet e studiove, Andreas Perea Ortega; Architecture Studio; Search; Zaha Hadid Architects dhe BIG, e cila u shpall edhe fituese, anëtarët e Komisionit vendosën unanimisht, se në Tiranë duhet një projekt i ri për Xhaminë, e cila të përshtatet me truallin e ri ku do të ndërtohet si dhe të reflektojë trashëgiminë kuturore shqiptare, në dizajnin e saj. Në këtë mbledhje, Komisioni u njoh edhe me propozimin e Komunitetit Mysliman, për angazhimin e një studio arkitekturore, për hartimin e projektit. “Sipas përfaqësuesve të Komunitetit Mysliman, Kryearkitekti dhe drejtuesi i kësaj studioje, me një veprimtari 28 vjeçare Muharrem Hilmi Shenalp ka ardhur në Shqipëri dhe është njohur me truallin e Namazgjasë. Kjo studio ka projektuar xhami të ndërtuara në shumë vende të botës, si në Tokio (e cila ne 2002 është shpallur një ndër ndërtesat më të mira të saj), në Berlin dhe Këln, Gjermani, etj”, thuhet në njoftimin për shtyp.