Xhemal Meçi, një enciklopedi e gjallë

Studiuesi dhe historiani i mirënjohur pukjan nderohet me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”

Vlerësime për studiuesin Meçi:

  • Për djem të tillë ka nevojë Puka”. (“MËSUESI”, 1964);
  • Çmojmë në personin tuaj një punëtor të merituar e të palodhur për zhvillimin dhe përparimin e gjuhës sonë letrare kombëtare… (prof. A. Kostallari, akademik, 1977);
  • “Veprat e tua, Kanunet… janë vepra që do të mbeten të paharruara, ashtu si edhe Kanuni që mblodhi Sh. Gjeçovi (prof. A. Uçi, akademik, 2002);
  • “Studiuesi eksplorues, Xhemal Meçi, përbën një arritje të shënuar në kërkimet shkencore të etnologjisë juridike shqiptare, ( prof. M. Tirta, akademik, 2002);
  • Profesorët: E. Çabej, M. Domi, A. Buda, J. Kastrati, që përbënin Olimpin e shkencës shqiptare, i drejtoheshin si koleg, deri me titullin “profesor”, (”prof. dr. B. Xhafa, 2008.)

Studiuesi dhe historiani i mirënjohur pukjan, Xhemal Meçi, para pak ditësh, u dekorua nga Presidenti i Republikës me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”. Një analist i vëmendshëm, që ka ndjekur në vijimësi punën e tij studimore-shkencore, jo vetëm voluminoze, por edhe cilësore, pa dyshim që do ta cilësonte atë si një enciklopedi e gjallë. Kjo për faktin se edhe në moshën 66-vjeçare, vazhdon të jetë bashkëpunëtor që prej 40-vitesh i Akademisë së Shkencave (Instituti i Kulturës Popullore, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Instituti i Historisë, Sektori i Fjalorit Enciklopedik) Tiranë, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” (Sektori Albanologjik) Instituti Albanologjik i Prishtinës (Kosovë) etj. Xhemal Reshit Meçi, ka lindur në Kabash, më 23 korrik 1936, banues në bashkinë e Pukës që prej 1955-ës, diplomuar në Fakultetin Histori – Filologji dhe kualifikim pasuniversitar. Për 45 vite ka punuar e kontribuar me përkushtim në fushën e arsimit e të kulturës në rrethin e Pukës: mësues e drejtues shkollash 7-vjeçare e të mesme, drejtues rrethesh metodike, drejtues i kabinetit pedagogjik të rrethit dhe përgjegjës i muzeut të rrethit Pukë. Për 45 vite është marrë me hulumtime, ekspedita e studime shkencore në shkallë rrethi e në veri të vendit, duke realizuar botime shkencore me interesa kombëtare. Prej vitesh, vazhdon me një plan botimesh shkencore dhe specialist me orë të reduktuara në muzeun e Pukës.

NË FUSHËN E ARSIMIT

1. Për masivizimin e shkollës e rritjen cilësore të saj

Shkollat e porsahapura mbas luftës ndodheshin para vështirësish të shumta. Xh. Meçi, si edhe të gjithë mësuesit me përkushtim, ndihmoi dukshëm për masivizimin e mëtejshëm të arsimit fillor e 7-vjeçar, si edhe për rritjen cilësore të procesit mësimor – edukativ. Kryesorja në ato drejtime ishte puna për kualifikimin e vetëkualifikimin e mësuesve të cilët në masën mbi 80 për qind ishin pa arsim përkatës. Xh. Meçi qe i pari, i cili, me shembullin e tij, afirmoi me sukses një përvojë të re në këtë drejtim. Kështu, në dy vjet (1954 – 1956) përfundoi shkëlqyeshëm të mesmen pedagogjike me korrespondencë në Shkodër dhe, në vazhdim, Institutin e Lartë Pedagogjik dhe Fakultetin Histori – Filologji, me notën mesatare mbi 8. Me këto arritje, ai u bë shembull edhe në punën e përditshme mësimore – edukative në shkollë e jashtë saj, aq sa këtë përvojë e publikoi edhe media e shkruar qendrore. “Bashkimi” e cilëson “Mësues shembullor fshati” (Bashkimi, Nr. 307, dt. 23.12.1955 f. 3); “Zëri i rinisë” – Njeriu me vullnet të fortë. Bëri të pamundurën: çdo vit dy klasë. Me korrespondencë, tani është edhe në përfundim të fakultetit Histori – Filologji. Një njeri i tillë është një edukues shembullor i brezit të ri. (Zëri i rinisë, Nr. 43, dt. 01.06.1960, f. 3). “Mësuesi” – Studimet Xhemali nuk i ndërpreu as kur kreu shërbimin ushtarak. I lumtë. Për djem të tillë ka nevojë Puka.” (“ Mësuesi”, 26 qershor 1964, f. 2).         

2. Për një drejtim më të kualifikuar të shkollës
Më 1957, tani me nivel shkencor e pedagogjik më të lartë, me vullnet e këmbëngulje, me përvojë didaktike dhe aftësi drejtuese, Xh. Meçi dërgohet drejtor shkolle e rrethi metodik në zonën e thellë të Pukës, në Iballe dhe më pas në shkollën problematike të Fushë-Arrësit për të siguruar realizimin e detyrimit shkollor e vijueshmërinë në mësime për djem e vajza deri në 16 vjeç, që aso kohe ishte problemi më i mprehtë i shkollës, si edhe për funksionimin me rezultate të shkollës së mbrëmjes pa shkëputje nga puna dhe, njëkohësisht, për përmirësimin e punës në rrethet metodike për kualifikimin e mësuesve, krahas gjallërimit të jetës kulturore e artistike shkollë – fshat – zonë, detyra të kryera me sukses në Iballë, sa shërbyen si shembull në rreth e më gjerë, aq sa më 1959 nderohet: nga rrethi dhe qendra (Tirana) me:

Fletë nderi (nga Fronti Demokratik i rrethit të Pukës);

– Distinktiv, “I dalluar për punë kulturore në fshat” (nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës);

– I ftuar në Konferencën Kombëtare “Për zhvillimin e kulturës në fshat”, organizuar prej Këshillit të Ministrave, ku merr pjesë më 15.12.1959 në Tiranë.

Në shkollën e mesme të Pukës, e cila bashkë me konviktin, mbulonte tërë rrethin për arsimin e mesëm për vitet ’60, Xh. Meçi për disa vjet me radhë qe mësues e drejtues i saj (z/drejtor), ku shërben me përkushtim e seriozitet profesional duke arritur:

– ngritjen e klasave kabinet për modernizimin e procesit mësimor;

– përgatitjen sa më të lartë mësimore dhe edukative të maturave, të cilat duhet të vazhdonin me sukses, siç ndodhi realisht, në Institutet e Larta të vendit dhe Universitetin e Tiranës, si kuadro të ardhshëm shumë të nevojshëm për Pukën;

– kualifikimin e arsimtarëve me kërkesa bashkëkohore didaktiko-shkencore dhe të përgjithësimit të përvojës së përparuar të mësuesve.

Të gjitha këto shërbyen edhe si artikuj studimor, të botuara te “Mësuesi” e “Bashkimi” (dt 21.01.1966; 23.03.1966; 13.07.1966; 21.01.1968 etj.) dhe në vazhdim, edhe në 14 gazeta të tjera deri në 100 shkrime. Gjatë acarimit të “Luftës së klasave”, nuk i botoheshin shkrimet e tij.


 3. Për një proces didaktik e shkencor më të lartë në shkollë e jashtë saj

Për zhvillimin e përparimin e mëtejshëm të shkollës, rëndësi të veçantë mori puna kërkimore didaktike e shkencore eksperimentuese për lidhjen organike lëndore e ndërlëndore. Kujdes iu kushtua klasës V, në gjuhën shqipe, ku ndihej nevoja për lidhje më organike në mes pjesëve të ligjëratës, ndryshe nga ndarjet akademike, të cilat vështirësonin përvetësimin e lëndës. Eksperimentimi u krye me sukses në vitet ’60, në sajë të ndihmës së Prof. B. Dedja, zv/ministër i Arsimit aso kohe. (Letrat 22.07. dhe 26.09.1968). Futja e njohurive të vendlindjes në programet mësimore me më baza shkencore, e vunë shkollën e Kryeziut dhe drejtorin e saj, Xh. Meçi, në ballë të shkollave të përparuara të rrethit të Pukës (Shkresat e Kryesisë së Komitetit Ekzekutiv Kësh. Pop. të Rrethit, Nr. 688, dt. 26.03.1971 dhe 24.02.1972). Për ta vënë punën pedagogjike të rrethit në një kualifikim më cilësor të arsimtarëve të Pukës dhe për t’i dhënë një nxitje të mëtejshme masivizimit të punës shkencore në shkollë, Xh. Meçi, më 1972, emërohet drejtues i kabinetit pedagogjik të rrethit, ku studimi e përgjithësimi i përvojës së përparuar të mësuesve u pa me përparësi edhe me seminare në shkallë shkolle, zone e rrethi si dhe me botimin e buletinit “Puka dhe shkolla”, të cilin prof. B. Dedja e vlerëson se mund të bëhej “revista e dytë pas atij të Institutit të Studimeve Pedagogjike në vendin tonë”. (Letër, 07.01.1976).

Në fushën shkencore

1. Intensifikimi i punës kërkimore e shkencore

Për sukseset e arritura sa më sipër, Xh. Meçi zgjidhet kryetar i shoqatës të arsimtarëve të rrethit të Pukës për punë shkencore në vitin 1969 e vazhdim. U realizuan programe të rëndësishme për hulumtime në fushën e folklorit, të gjuhësisë e të historisë së rrethit, që arritën në 13 vëllime me gjithsej 1400 f. të daktilografuara në shërbim të shoqatës, duke shfrytëzuar edhe Arkivin e Shtetit, Bibliotekën Kombëtare etj. Mbi këtë bazë u përgatit edhe historiku i rrethit të Pukës nga Xh. Meçi e bashkautor (dorëshkrim në muze të rrethit) dhe Sesioni I shkencor për “Traditat patriotike e revolucionare të pukjanëve”, të cilin e përgjithësoi gazeta “Bashkimi” më 17 maj 1970 f. 2 si shembull pozitiv në shkallë vendi. Për ta vënë punën kërkimore shkencore të arsimtarëve të rrethit të Pukës mbi baza sa më shkencore, Xh. Meçi, si studiues dhe kryetar i shoqatës së arsimtarëve për punë shkencore, u lidh me shumë institucione shkencore qendrore e personalitete të shkencës e kulturës kombëtare, si: prof. Androkli Kostallari, prof. Eqerem Çabej, prof. Mahir Domi, prof. Aleks Buda, prof. Stefanaq Pollo, prof. Zihni Sako, prof. Alfred Uçi, prof. dr. Jup Kastrati, prof. dr. Mark Tirta, prof. dr. Musa Kraja, prof. dr. Mahir Hoti, prof. Bajram Xhafa, prof. David Luka, prof. Agron Xhagolli etj. prandaj edhe ftohet në Konferencën II Albanologjike (12.01.1968), në Konferencën III Kombëtare Pedagogjike (02.03.1972), në Konferencën I të Folkloristikës Shqiptare (26.05.1972), në Kuvendin e Studimeve Ilire (15.06.1972), në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe me kumtesë (20.11.1972), botuar. Gjithashtu, ftohet në Konferencën Kombëtare të Studimeve për LANÇL (08.11.1974), Konferenca Kombëtare e Studimeve Etnografike (28-30 qershor 1976), Simpoziumi Epika heroike legjendare shqiptare (20-22 tetor 1982) etj.

Veprimtari të mirëfilltë shkencore

Xh. Meçi, në bashkëpunim me kolegët e tij, mësues e drejtues shkollash të dalluara të rrethit të Pukës, përgatiti, organizoi e kumtoi në më shumë se 40 sesione shkencore, ku në disa prej tyre bashkëpunoi me personalitete shkencore nga Tirana e Shkodra, si: prof. E. Çabej e prof. M. Domi, prof. J. Kastrati, prof. M. Tirta, prof. A. Xhagolli, prof. Y. Selimi, prof. M. Hoti, prof. Sh. Osmani, prof. A. Onuzi, prof. D. Luka, prof. Njazi Kazazi etj. Sesioni shkencor i Kabashit 1977, i përgatitur prej Xh. Meçit, për të cilin Anastas Kondo, shkrimtar e zv. ministër i asaj kohe, e çmon punën e bërë në Kabash, aq sa i çuan mësuesit e Kabashit “kolombët e parë të studimeve të toponimisë shqiptare ku kumtuan edhe akademikë”. (Shkrimi – “Nderim për mësuesit”. Zëri i Popullit, 1984, fq. 2). Me përmasa kombëtare ka qenë edhe simpoziumi për traditën dokesore popullore, mbajtur në Pukë më 1997, ku kumtuan 9 personalitete të kulturës e të shkencës shqiptare. Xh. Meçi veprimtarinë e tij shkencore e shtriu edhe në Kukës, Mirditë, Lezhë, Kurbi, si dhe në Shkodër e Tiranë ku ka mbajtur 18 kumtesa, shumica botuar. Për aksionin e mbledhjes “Fjala e rrallë e gjuhës shqipe”, Xh. Meçi ndihmoi edhe mësuesit e zonës, ndërsa vetë mblodhi, sistemoi e shpjegoi afro 300 njësi leksikore të pabotuara në Fjalorin e Gjuhës Shqipe, të vitit 1980 e 1985, të cilat i dërgoi në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, për të cilat vlerësohet në veçanti prej vetë prof. A. Kostallarit, i cili i quan “material të vlefshëm për pasurimin e kartotekës së Leksikut të Shqipes”. (Letër 03.05.1986) 

1. Botime shkencore në fushën Albanologjike

Akademia e Shkencave, Instituti i Kulturës Popullore, duke vlerësuar kualifikimin e arritur në punën kërkimore shkencore të Xh. Meçit, më 1982, e përfshiu në grupin e punës për përgatitjen e kolanës disa vëllimesh të kanuneve shqiptare. Për këtë, Ministria e Arsimit i dha 2 vjet leje për punë shkencore (1987, 1990). Me përpjekje të mundimshme, mbas një pune të gjatë e me përkushtim arriti të mbledhë, të sistemojë, të kodifikojë e të botojë traditën dokesore shqiptare e zbatuar në Pukë e Mirditë, nën emrin Kanuni i Lekë Dukagjinit në Variantin e Pukës, 1996, dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit në Variantin e Mirditës, 2002. Prof. Alfred Uçi i çmon shumë këto dy botime: “Veprat e tua… janë vepra që do të mbeten të paharruara ashtu si edhe Kanuni që mblodhi Sh. Gjeçovi, dhe që e përligjin mundin e madh e stërlodhjen që ka përcjellë në punën tënde fisnike”. (Letër, 25.11.2003). gjithashtu, prof. M. Tirta – etnograf i mirënjohur: “Xhemal Meçi është një eksplorues nga më të shquarit në fushë të etnologjisë shqiptare. Pas eksplorimeve shumëvjeçare në të drejtën dokësore shqiptare, ashtu si e ka bërë jetën në malësitë e Veriut, botoi “KLD, Varianti i Pukës (1996)” që u prit shumë mirë nga etnologë e specialistë në Tiranë, në Kosovë e vende të tjera. Vazhdim i asaj pune të madhe kërkimore, shkencore, boton “Kanuni i Mirditës (2002)”, një vepër me vlera të mëdha, me një material të gjerë, të regjistruar në terren”. (Prof. Dr. M. Tirta – KLD në Variantin e Mirditës. Tiranë, 2002, f. 15.) Ka vazhduar me botimin “Puka që në lashtësi” (2003), për të cilin prof. dr. Njazi Kazazi thekson: ”Dashuria për shkollën, për diturinë, për vendlindjen, për atdheun, për kombin shqiptar përshkon tërë këtë libër të suksesshëm.”Prof. dr. Nj. Kazazi, Parathënie, f. 9).

Kabashi”, Tiranë. 2008, “ është një botim me përmasa enciklopedike” (Prof. Ahmet Osja, akademik).Tani ka gati për botim “ Një rapsod i Alpeve Shqiptare”, “Ana e Drinit” etj.

Prof. J. Kastrati e çmon kështu në botimin e bibliografisë së vet: ”Mikut, kolegut dhe bashkëpunëtorit tim të patriotit vyer, studiuesit të mirënjohur të historisë, etnografisë,folklorit dhe kanunit, burrit fisnik dhe bujar, z. Xhemal Meçi, me respekt e mirënjohje të thellë”. (Shkodër, më 4 prill 2000). Me daljen në pension, punon si specialist i muzeut historik të Pukës, të cilin e ka mirëmbajtje e pasuruar me dokumente e materiale arkeologjike me interesa shkencore për Pukën e më gjerë në shkallë kombëtare.

Xhemal Meçi, nën peshën e “Luftës së klasave”

Meqenëse Xhemal Meçi ka pasur të dënuar me burg politik dajën, Abdullah Salihin i cili i ka vuajtur burgjet e tmerrshme komuniste për 17 vjet (1945-1962), “Lufta e klasave” e ka ndjekur që nga emërimi mësues (1953) e në vazhdim, deri më 1991. Sapo përfundon kursin pedagogjik përgatitor emërohet në Kaftallë të Mirditës, në një shkollë, ish-shtëpi e një familjeje të internuari politik. Shtëpia ishte pa tavan dhe me dritare të vogla (penxhere). Duheshin mësuar tri klasa kolektive (njëherësh), si dhe me ndjekë çdo ditë kursin kundër analfabetizmit me të rritur. Të gjitha këto pa asnjë kusht jetese: si ushqim, si strehim. Në këto rrethana i gjendet krah shtëpia e Pal Sutës me të vëllezërit, të cilët e strehuan me bujari në vatrën e tyre me fjetje dhe ushqim. Nga 38 vjet në arsim, 30 vjet ka shërbyer në fshatrat e Pukës deri në Iballe. E drejta për të vazhduar arsimin e mesëm dhe të lartë iu dha vetëm me korrespondencë. “Nuk pata fatin e mirë, – shprehet Xhemali, – që të dëgjoja një orë mësimi në shkollën e mesme, apo një leksion në lëndët e arsimit universitar, vetëm konsultimet. ”Megjithatë, u diplomua me përfundime shembullore. Me rritjen e “Luftës së klasave”, që nga viti 1975 e në vazhdim, është lënë mësues i thjeshtë, duke i nxjerrë pengesa për veprimtaritë shkencore, për hulumtime e kërkime në terren e për botime. Të drejtën për kualifikim pasuniversitar e kërkoi disa herë, por iu dha vetëm nga fundi i vitit 1990. Ishte vullneti shembullor, si dhe përkrahja e disa shokëve në drejtimin e arsimit në rreth si: Sylë Bejtja, Ramadan Hoxha, Zef Delia, Muharrem Neziri, Kapllan Çoba etj., që nuk u thyeNë formimin e tij si qytetar e njeri publik karakterizohet për urtësi, afrim e komunikim miqësor, i gatshëm për mirëkuptim e harmoni mes njerëzve. Gjatë tranzicionit demokratik, ka ndihmuar në pajtime konfliktesh, si edhe në pajtime gjaqesh. Si specialist e punonjës shkencor dallohet për përgatitje të gjerë e kualifikim shkencor të lartë, kërkues dhe eksplorues i zellshëm. Edhe tani, në pension vazhdon të japë ndihmesë për përgatitjen e temave për mbrojtje diplome të studentëve e disertacioni për studiues brenda e jashtë atdheut (Zvicër e Gjermani).

Për meritat e mësipërme, i jepet:

* Titulli i nderit “Mirënjohja e Qytetit të Pukës” (VKB Pukë, Nr. 22, dt. 07.04.2000);

* MedaljaNaim Frashëri” (Dekreti Nr. 5269, dt 29.01.1975);

* UrdhriNaim Frashëri” i Argjendtë (Dekreti Nr. 3193, dt. 18.12.2001);

* “Çmimi i Virtytit” (Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar, Tiranë, 11 maj 2011);

* UrdhrinMjeshtër i Madh” (Dekreti Nr. 7148, dt. 02.11.2011) me motivacionin: “Për kontribut të çmuar në etnokulturën, gjuhësinë e historinë kombëtare, për punën kërkimore dhe botimet e rëndësishme për të drejtën zakonore, pasurinë leksikore, atë folklorike dhe historike.”

Duke pasur parasysh meritat sa më sipër, me VKB Pukë: Nr. 45, dt. 24.11.2004, të Këshillit të Qarkut Shkodër, me Nr. 8, dt. 25.5.2005, Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë me Vendimin Nr. 828, dt. 13.12.2006 vendosi për trajtimin e tij me “Pension të posaçëm shtetëror”.

Nga Halil RAMA

Comments are closed.