Arsyet që detyruan Saimir Tahirin të udhëtojë papritur drejt Gjermanisë mbeten mister ende sot, jo vetëm për mediat, por edhe për njerëzit pranë tij. Kur doli lajmi dhe avokati Maks Haxhia tha se nuk kishte dijeni për këtë lëvizje të klientit të tij, u hodh në media teza e një arratisjeje të mundshme. Por mediat pranë qeverisë dolën me versionin se nuk kishte asgjë për t’u shqetësuar, sepse Tahiri kishte udhëtuar në Gjermani për t’i qëndruar pranë të atit që kurohet jashtë.

Lapsi.al ka siguruar të dhënat nga sistemi TIMS, që tregojnë se ky shpjegim që nxorrën mediat ishte një gënjeshtër. Nga të dhënat në system del se Bashkim Tahiri, doli jashtë Shqipërisë në fund të muajit tetor, në datën 29 dhe u kthye në fillim të nëntorit, në datën 3, dhe kjo duket qartë në të dhënat e regjistruara në sistem.

Ndërkohë, udhëtimi tre-ditor i Saimir Tahirit është bërë dy javë më pas, në një periudhë kohe që nuk ka asnjë lidhje me ndërhyrjen kirurgjikale të babait të tij.

Një tjetër detaj nga udhëtimi është se në rrugën drejt Gjermanisë, Tahiri shoqërohej me një ish-vartës të tij në Ministrinë e Brendshme. Udhëtimi erdhi pas deklaratave të Edi Ramës dhe Ditmir Bushatit se Tahiri nuk mund të udhëtojë jashtë vendit, sepse parlamenti ka votuar për bllokimin e lëvizjes së tij jashtë vendit.

Me arrestimin e Orest Sotës, me shtimin e presionit ndërkombëtar ndaj qeverisë për dënimin e “peshqve të mëdhenj” dhe me retorikën e re që po përdor Edi Rama, Saimir Tahiri ka arsye të jetë i shqetësuar për fatin e tij. Shqetësimin e konfirmoi Bashkim Fino në një takim me kryeministrin.

Gjatë bisedës së lirë që Rama pati me deputetët brenda në kryeministri, Fino tha se kishte folur me Tahirin dhe kishte vënë re se ai ishte i shqetësuar. Rama iu përgjigj se “Tahiri nuk ka pse shqetësohet, sepse gjithkujt mund t’i ndodhë të harrojë patentat diku”. Kjo thirrje për t’u qetësuar tingëllon si tallje për Tahirin, të cilin e kanë përzënë nga të gjitha funksionet në parti dhe çdo ditë e më shumë po i japin formën e një peshku të madh, gati për t’u futur në tigan./ © Lapsi.al