Zgjatimi i bulevardit, bashkia e Tiranës hap sot konkursin

Studiot arkitekturore që do të marrin pjesë në konkurs

Afati kur do të shpallet fituesi. Risitë që sjell projekti për qytetarët 

Projektet për zhvillimin e Tiranës po jetësohen çdo ditë nga bashkia e kryeqytetit. Zgjatimi i bulevardit dhe rehabilitimi i lumit të Tiranës është një nga projektet që pritet të ndikojë ndjeshëm në zhvillimin ekonomik, punësimin dhe përmirësimin e cilësisë së jetesës për qytetarët. I prezantuar si projekt nga kryebashkiaku Basha, gjatë fushatës elektorale, si një projekt strategjik, zgjatimi i bulevardit të Tiranës dhe rehabilitimi i lumit të Tiranës po nis të kthehet në realitet. Sot, në orën 9.00, në Akademinë e Arteve, 7 prej 20 studiove më të mira arkitekturore të botës paraqesin projektet e tyre për zgjatimin e bulevardit dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës. Studiot arkitekturore si DAR Group Turkey & United Kingdom, West 8 – The Netherlands, Albert Speer & Partners – Germany, Cino Zuçhi Architetti – Italy, Gerkan, Marg & Partners – Germany, Kees Christianse & Partners – The Netherlands, Grimshaw Architects – United Kingdom, do të prezantojnë masterplanet për zgjatimin e Bulevardit, deri tek lumi i Tiranës, me gjatësi 1.7 km dhe për zhvillimin e sipërfaqes përreth saj, prej 132.8 ha. Këto studio do të sjellin dhe një masterplan për rehabilitimin e lumit të Tiranës, prej 6.7 km dhe zhvillimin e zonës përreth. Shtatë studiot arkitekturore do të paraqesin dhe propozime për zhvillimin e zonës, nga lumi i Tiranës deri në Paskuqan, përfshirë edhe zgjatimin e Bulevardit, si dhe për zhvillimin e Kodrave të Paskuqanit. Projekti më i mirë do të përzgjidhet nga një juri me personalitete të njohura. Ndërkohë, gjatë një deklarate për mediat, nënkryetarja e bashkisë, Jorida Tabaku, theksoi se fituesi do të zgjidhet nga një juri ndërkombëtare, e udhëhequr nga kryetari i bashkisë, Lulëzim Basha. Fituesi do të shpallet më 9 mars. Tabaku tha se projekti do të jetë në shërbim të komunitetit, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetesës, si dhe një mundësi më shumë për të rritur numrin e të punësuarve