Zgjedhjet lokale serbe në Kosovë, Rexhepi: Duhen ndaluar

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi, ka ripërsëritur se institucionet e Kosovës do të marrin masat e duhura për të ndaluar mbajtjen e zgjedhjeve serbe në veri të Kosovës. “Në koordinim me faktorin ndërkombëtar duhet të vazhdojmë të marrim masat që ato të mos mbahen. Tek e fundi Serbia shpesh përmend rezolutën 1244 dhe me Rezolutën 1244 zgjedhjet janë të paligjshme. Në këtë rast unë mendoj se edhe vet UNMIK-u, pavarësisht se në një mënyrë nuk ka rol operativ, duhet ta bëjë interpretimin e drejtpërdrejtë edhe të saktë të Rezultues 1244 e cila në mënyrë definitive ndalon organizim të zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës”, ka thënë Rexhepi. Ndërsa Beogradi zyrtar pretendon t’i mbajë sërish zgjedhjet lokale në disa komuna të Kosovës, pavarësisht kundërshtimit të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve dhe misioneve diplomatike ndërkombëtare. Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Sllavica Gjukiq ka shpallë mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe më 6 maj. Duke u nisur nga Kushtetuta e këtij vendi, ku Kosova ende është pjesë përbërëse e Serbisë, ajo ka thënë se zgjedhjet lokale nuk do të mbahen në Prishtinë, Pejë, Leposaviq, Mitrovicë dhe Novobërdë, ngase në këto komuna, sipas saj, pushtetet lokale kanë ende mandat. Ndërkaq paralajmëroi mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe në komunat tjera të Kosovës.

Comments are closed.