Zgjedhjet, Nishani: Kundër çdo retorike agresive dhe përçarëse

Kreu i shtetit Bujar Nishani është shprehur kundër çdo retorike agresive, ndarëse dhe përçarëse për zgjedhjet e 23 qershorit. Në një intervistë për DW, presidenti tha se sfidë e madhe për zgjedhjet është pikërisht ambicia politike dhe lidershipi politik. “Nëse nga njëra anë kemi një maturi dhe një pjekuri të rritur të shoqërisë, një infrastrukturë të mirë, nga ana tjetër kemi një sfidë shumë të madhe që rrjedh nga ambiciet politike të lidershipit politik, e përkthyer në mënyrën e sjelljes politike të partive politike dhe të lidershipit politik duke filluar nga retorika. Jam kundër çdo retorike agresive, ndarëse, përçarëse. Kundër çdo retorike, e cila i shmanget thelbit që ka në parim por edhe implementim procesi zgjedhor, që është alternativa, doktrina dhe platforma qeverisëse dhe jo sulmi verbal, ironia therëse, apo retorika përçarëse”, ka deklaruar Nishani. Ai është shprehur optimist për zhvillimin e zgjedhjeve të lira. Ndërkaq, duke folur për marrëveshjen Kosovë- Serbi ai theksoi domosdoshmërinë e zbatimit të saj.