Zgjedhjet serbe në Kosovë, MPJ: Të papërshtatshme, cënojnë integritetin e vendit

Ministria e Punëve të Jashtme, vlerëson se vendimi i Beogradit për të mbajtur zgjedhjet edhe në disa komuna të Kosovës është i paligjshëm dhe i të papranueshëm, pasi cënon integritetin e një vendi fqinj sovran. Në një deklaratë për shtyp MPJ-ja thekson se përpjekjet serbe për mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e Republikës së Kosovës janë në kundërshtim të plotë me frymën dhe përmbajtjen e deritanishme të bisedimeve mes dy vendeve, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, ku Serbia kërkon të integrohet. “Si të paligjshme, këto zgjedhje nuk do të kenë asnjë efekt juridik, personat e zgjedhur nuk do të kenë autoritet ligjor. I vetmi efekt që këto zgjedhje sjellin është forcimi i strukturave paralele kriminale serbe në veri të Kosovës, çmontimi i të cilave është detyrim i Republikës së Serbisë. Këto zgjedhje gjithashtu cënojnë perspektivën e integrimit të plotë të komuniteteve etnike në institucionet dhe shoqërinë e Republikës së Kosovës”, thekson MPJ. Sipas Ministrisë së Jashtme, fryma evropiane për të cilën ka nevojë Kosova, Serbia dhe i gjithë rajoni, konsiston në zgjidhjen e problemeve në Veri të Kosovës, duke zbatuar plotësisht paketën Ahtisari.

Comments are closed.