Zgjedhjet serbe në Kosovë, Thaçi: Serbia, provokon konflikt të hapur

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në mbledhjen e qeverisë komentoi planet serbe për të mbajtur zgjedhjet, si ato lokale, ashtu edhe ato të përgjithshme edhe në Kosovë. Kryeministri kosovar tha se pretendimet e Beogradit bien ndesh me ligjet e Kosovës, normat me të cilat është shpallur pavarësia e Kosovës si dhe me vetë rezolutën 12-44. “Ky pretendim është në kundërshtim me ligjet e Kosovës, me rezolutën 1244 dhe normat e  tjera mbi të cilat është shpallur pavarësia e Kosovës. Qeveria e respekton parimin e dyshtetësisë, por qeveria e Kosovës e vlerëson si pretendim për agresion ndaj Kosovës e që bie ndesh me vlerat europiane”, tha kryeministri Thaçi. Ndër të tjera, kreu i qeverisë së Kosovës theksoi se Serbia me këto pretendime provokon konflikt të hapur me shtetin e Kosovës që mund të ketë pasojë për gjithë rajonin. “Qeveria do të përdorë mekanizmat ligjore që ky pretendim të mos realizohet në Kosovë as për zgjedhjet lokale e as për zgjedhjet e përgjithshme. Serbia po provokon konflikt të hapur me shtetin e Kosovës që mund të ketë pasoja për rajonin dhe si përgjigje ne do të përdorim të gjitha mekanizmat kushtetutes”, u shpreh Thaçi. Në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë ka reaguar edhe Mbretëria e Bashkuar, duke deklaruar se një gjë e tillë përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar. Reagimi ka ardhur nga sekretari britanik për Evropën, David Lidington përmes një deklarate të publikuar në faqen zyrtare të internetit të dikasterit të tij. “Mbajtja e zgjedhjeve lokale serbe në territorin e Kosovës do të ishte në kundërshtim më ligjin ndërkombëtar. Ne mirëpresim synimin e Serbisë për t’u konsultuar me institucionet ndërkombëtare përsa i përket kësaj çështjeje”, ka deklaruar Lidington. Edhe Gjermania ka deklaruar se zgjedhjet serbe në Kosovë bien ndesh me rezolutën 1244. I ngarkuari me punë i ambasadës gjermane në Prishtinë, Mathias Kiesler, ka deklaruar se mbajtja e zgjedhjeve përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare. “Ambasada gjermane përshëndet paralajmërimin e kryetares së Parlamentit dhe presidentit serb, që zgjedhjet e planifikuara për t’u mbajtur më 6 maj, duhet të jenë në përputhje me detyrimet ndërkombëtare të Serbisë”, ka thënë Kiesler. Edhe Ministria e Punëve të Jashtme shqitare, vlerëson se vendimi i Beogradit për të mbajtur zgjedhjet edhe në  disa komuna të Republikës së Kosovës është i paligjshëm dhe i të papranueshëm,  pasi  cënon integritetin e një vendi fqinj sovran.  “Përpjekjet serbe për mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e Republikës së Kosovës janë në kundërshtim të plotë me frymën dhe përmbajtjen e deritanishme të bisedimeve mes dy vendeve, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, ku Serbia kërkon të integrohet”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme. Dje, Serbia ka shpallur mbajtjen e zgjedhjeve edhe në Kosovë. Në ditën kur janë shpallur zgjedhjet parlamentare dhe lokale, kryetarja e kuvendit, Sllavica Gjukic-Djenaovic, ka thënë se zgjedhjet nuk do të mbahen në Pejë, Prishtinë, Mitrovicë, Leposavic dhe Novobërd apo në 17 qytete të Serbisë, ku janë mbajtur zgjedhje të jashtëzakonshme lokale. Por, kryetarja e kuvendit ka lënë mundësinë e konsultimit me UNMIK-un, sic ka thënë për zgjedhjet në Kosovë dhe për të respektuar përveç kushtetutës së shtetit edhe rezolutën 1244. Ndërsa nga ana tjetër presidenti, Boris Tadic, i cili i pari ka shpallur zgjedhjet parlamentare, ka theksuar se këto zgjedhje kanë të bëjnë me qëllimet e Serbisë dhe me dëshminë se Serbia është një vend i lirive dhe demokracisë.

Comments are closed.