Zhbllokohen legalizimet, qytetarët do të marrin tapitë së shpejti

Nuk do të legalizohet asnjë objekt që bie ndesh me studimet urbanistike

Procesi i legalizimeve në kryeqytet është zhbllokuar. Kështu, drejtori i ri i ALUIZNI-t në Tiranë, Kreshnik Bozho, bën me dije se në një kohë të shkurtër janë përpunuar me mijëra dosje, duke i dhënë zgjidhje ngërçit ku kishte hyrë ky proces. “Brenda një jave, të paktën 6 mijë qytetarë marrin lejen e tyre te legalizimit. Domethënë kanë mbetur vetëm procesi mekanik i printimit. Ne duhet të jemi shumë të saktë në përcaktimin e asaj lejeje që duhet të japim, sepse japim një pronë”, thotë Kreshnik Bozho. Por mes tyre ka edhe dosje, që nuk do të kualifikohen në procesin e legalizimeve. “Nuk mund të legalizohet asnjë objekt, i cili bie ndesh me studimet urbanistike. Që do të thotë, atje ku kalon rrugë, ku është një ambient i gjelbër, ku është destinuar për një shkollë, për të gjitha objektet që janë të destinuara për shërbim publik”,- shprehet Bozho. KLSH, pak kohë më parë, konstatoi shkelje të rënda ligjore të ALUIZNI-t, për periudhën 2009-2011. Lidhur me këtë fakt, drejtori i ALUIZNI-t për Tiranën garanton se asnjë milimetër pronë, nuk mund të bëhet legale, duke shkelur ligjin. “Nuk do ketë shans dikush të marrë një leje legalizimi, e cila të cenojë sikur dhe me milimetra ligjin. Ne do marrim masa. Ato shkelje që KLSH-ja ka konstatuar për atë pjesë që na takon ne”,- thotë ai. Qytetarë të shumtë, ende presin pas dyerve të ALUIZNI-t një përgjigje për dosjen e tyre. Shumë syresh, tashmë janë pritur nga specialistët dhe janë informuar mbi ecurinë e procesit të legalizimit të pronës së tyre.

 

Comments are closed.