Zhbogar: Zgjedhjet lokale serbe, mund të përkeqësojnë situatën

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për Kosovën, Samuel Zhbogar ka thënë se mbajtja e zgjedhjeve lokale serbe mund të përkeqësojë situatën dhe jo të zgjidhë problemet. Në një prononcim për mediat lokale serbe, Zhbogar ka thënë se do të dëshironte që Serbia të mos organizojë zgjedhje në Kosovë dhe se BE pret nga vendi që është kandidat për anëtarësim të sillet në përputhje me statusin që ka dhe të zgjidhë problemet me dialog, dhe jo njëanshëm. Diplomati slloven, që është edhe shef i zyrave të BE-së në Kosovë, ka thënë se madje edhe Rezoluta 12 44 flet qartë se kush ka përgjegjësi për organizimin e zgjedhjeve në Kosovë, dhe kjo nuk është Serbia. “Organizimi i zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë, nuk do të na ofrojë drejt dialogut, por do të përkeqësojë situatën dhe retorikën dhe kjo nuk na çon në zgjidhje”, ka vlerësuar Zhbogar. Ditë më parë, kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Sllavica Gjukiq Dejanoviç, ka deklaruar se zgjedhjet lokale do të mbahen në të gjitha mjediset ku këshilltarëve u ka kaluar mandati katërvjeçar, pavarësisht se a janë ato në jug apo veri të Kosovës. “Zgjedhjet lokale do të mbahen në të gjitha mjediset ku këshilltarëve u ka kaluar mandati katërvjeçar dhe nuk do të bëhet asnjë dallim ndërmjet komunave në jug dhe veri të Kosovës”, është thënë në deklaratën e publikuar nga kabineti i saj. Institucionet kosovare kanë kundërshtuar mbjatjen e këtyre zgjedhjeve, dhe kanë kërkuar nga Serbia që të ketë sjellje evropiane karshi Kosovës.

Comments are closed.