Zhiti: Përmirësim të vazhdueshëm të monumenteve të kulturës

Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Z. Visar Zhiti mori pjesë në inagurimin e përfundimit të projektit të financuar nga Bashkimi Europian nëpërmjet të cilit janë restauruar e gjithë infrastruktura nëntokësore, rrugicat, kalldrëmet si dhe sistemi i rrjetit elektrik në të gjithë Kalanë e Beratit. Të pranishëm në ceremoninë e inaugurimit ishin Kreu i Bashkisë së qytetit muze Z. Fadil Nasufi, përfaqësuesi i delegacionit të BE-së në vendin tonë Z. Fransua Bezho, Drejtori Rajonal i Monumenteve të Kulturës Z. Lonik Çuedari, etj.   Ministri Visar Zhiti tha se nëpërmjet Progamit IPA 2009 “Mbështetja për zhvillimin e qëndrueshëm dhe të integruar të trashëgimisë historike dhe kulturore në Shkodër, Elbasan, Korçë dhe Berat” me vlerë të përgjithshme rreth 3,5 milionë euro, ne sot përfitojmë një vlerë të shtuar për mënyrën sesi sot paraqitet trashëgimia jonë kombëtare. Falë këtij projekti në Berat kemi përfituar një vlerë totale prej rreth 2 milionë euro, ky projekt është rezultat i një bashkëfinancimi të BE dhe 20% nga ana e MTKRS.  Ministri Zhiti u shpreh ndër të tjera se vëmendja e Qeverisë Shqiptare është përqëndruar në përmirësimin e vazhdueshëm të gjendjes së monumenteve të kulturës dhe elementeve të ndryshëm që lidhen me to dhe nëpërmjet këtyre investimeve kalaja e Beratit por edhe kalatë e tjera në vendin tonë po kthehen në qendra tërheqëse për turistët. “Berati nëpermjet këtij projekti merr një mbeshtje për një zhvillim të qendrueshëm ekonomik duke shprehur kështu interesin e Shtetit Shqiptar dhe Partnerëve tanë Europianë. Berati ky xhevair i pasurisë sonë kombëtare dhe asaj Botërore sot ka rrugë të brendshme të rehabilituara, një sistem ndriçimi më të mirë dhe ka zgjidhur për banorët e kalasë çështje të telekomunikacionit, të kanalizimeve dhe të sistemit të furnizimit me ujë. Është pjesë e filozofisë sonë të përbashkët për të orientuar politikat tona në mënyrë që banorët e këtyre qendrave historike të gjejnë aty kushtet dhe përkujdesin e duhur për të patur mundësi për të zhvilluar ekonominë e tyre në lidhje me pronën apo bizneset brenda kalasë së Beratit. Kalaja e Beratit dhe kalatë e tjera në Shqipëri kështu bëhen qëndra atraktive për ekspertët e turizmit dhe ndihmon popullsinë vendase ta shohin trashëgiminë si aset dhe jo pengesë për një jetë më të mirë”, tha ndër të tjera Z. Zhiti. Ndërsa Z. Fransua Bezho,  vlerësoi bashkëpunimin me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si dhe pushtetin lokal. Ai cilësoi se pa këtë simbiozë bashkëpunimi që u pa në realizimin e këtij projekti asnjë projekt nuk do të vihej në jetë sado i madh të ishte ai. Ndërveprimi midis këtyre instucioneve erdhi si rezultat i mbështetjes financiare nga ana e MTKRS, komunikimit nderistitucional si dhe ofrimit të dijeve në fushën e trashëgimisë.