Zhurma, e dëmshme për zemrën tuaj dhe presionin e gjakut

0
176 lexime

Tregohuni të kujdesshëm ndaj zhurmave, veçanërisht gjatë kohës së gjumit. Ky është rekomandimi më i ri i mjekëve dhe psikologëve.

Studimet dhe eksperimentet e ndryshme kanë treguar se edhe pse gjatë gjumit të thellë nuk ndjejmë gjë, zhurmat e forta rreth ambientit të fjetjes apo edhe zhurmat periodike të vazhdueshme, janë të dëmshme për shëndetin tuaj. Dëmtimet e shkaktuara nga zhurmat nuk janë të përqendruar vetëm te problemet që kanë të bëjnë me dëgjimin, por shfaqen probleme me zemrën, presionin e gjakut, probleme psikologjike, etj.

Zhurmat e trafikut të rënduar, uljet dhe ngritjet e avionëve, puna në uzina e fabrika, etj. mund të ulë presionin e gjakut nën nivelin e duhur, ç’ka mund të kthehet në rrezik për sëmundje kardiake. Dhe sipas rezultateve të publikuara nga European Heart Journal, tregohet se ky efekt negativ i zhurmave është më i ndjeshëm për njerëzit që jetojnë pranë aeroporteve apo zonave industriale, ku niveli akustik është tepër i lartë.

Studimet kanë treguar se edhe bashkëshorti apo bashkëshortja juaj mund të kthehet në problem për shëndetin tuaj nëse gërhet. Kjo zhurmë mund të kthehet në stres për ju, gjatë gjumit. Edhe pse ju mund të jeni mësuar me këtë gjendje dhe të flini pa ndjerë zhurmat përreth, është organizmi juaj ai që dëmtohet, sidomos çrregullime në presionin e gjakut.