Zv/ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker, në Tiranë: Frymë dialogu dhe bashkëpunimi në Ballkan

Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin

Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker, ka nisur në Tiranë një tur të rëndësishëm takimesh me drejtuesit dhe politikanët më të lartë shqiptarë. Vizita e zotit Reeker në Tiranë vjen në një kohë kur Departamenti Amerikan i Shtetit i ka tërhequr vëmendjen qeverisë shqiptare për tonet nacionaliste, që konsiderohen të dëmshme për stabilitetin e rajonit. Sipas njoftimit të shkurtër të Ministrisë së Jashtme Shqiptare, në takimin e zyrtarit të lartë amerikan dhe shefit të diplomacisë shqiptare, Edmond Panariti, u theksua rëndësia e ekzistencës së frymës së dialogut dhe bashkëpunimit në shërbim të paqes, stabilitetit dhe perspektivës europiane të Vendeve të Ballkanit Perëndimor. Të dy bashkëbiseduesit konfirmuan nivelin e shkëlqyer strategjik të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, si dhe vlerësuan bashkëpunimin mes tyre si anëtarë të NATO-s. Zyrtari amerikan u prit në një takim dhe nga kreu i qeverisë. Berisha e falënderoi z. Reeker për mbështetjen dhe ndihmën e vazhdueshme të SHBA-ve dhe qeverisë amerikane dhe atë të Presidentit Obama ndaj Shqipërisë gjatë gjithë kësaj periudhe. Në takim u vlerësua gjithashtu edhe një herë vizita historike e ish-Sekretares së Shtetit, Hillary Clinton, në Shqipëri, dhe njëkohësisht fakti që në krye të Departamentit të Shtetit, pas largimit të saj qëndron sërish një mik e mbështetës i madh i Shqipërisë e shqiptarëve, siç është Sekretari i Shtetit, John Kerry, të cilit Kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin t’i ridërgojë përshëndetjet e urimet më të përzemërta. Më tej, biseda u ndal në përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në vend. Kryeministri Berisha theksoi se realizimi me sukses i reformës zgjedhore ka bërë të mundur që sot Shqipëria të ketë një kuadër ligjor, zgjedhor, në të cilin janë reflektuar të gjitha rekomandimet e ODIHR-it. Në këtë kuadër, ai nënvizoi masat e marra nga administrata zgjedhore për rritjen e ndjeshme të shpejtësisë dhe transparencës në votim dhe numërim. Kryeministri Berisha i ripohoi z. Reeker dëshirën dhe kërkesën e qeverisë shqiptare, që SHBA-të të dërgojnë numrin më të madh të mundshëm të vëzhguesve të zgjedhjeve duke e siguruar atë se qeveria shqiptare është tërësisht e vendosur për të zbatuar çdo masë në kuadër të shtetit ligjor që zgjedhjet e 23 qershorit të plotësojnë të gjitha standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira e të ndershme. Në takim u vlerësua bashkëpunimi i shkëlqyer mes dy vendeve në shumë fusha, duke u ndalur në veçanti në bashkëpunimin në kuadër të NATO-s dhe atë në sektorin e mbrojtjes si dhe u rikonfirmua vendosmëria e për ta thelluar e zgjeruar edhe më tej bashkëpunimin e frytshëm, e të suksesshëm midis të dy vendeve në të gjitha fushat me interesa të ndërsjellë. Z. Reeker i ripohoi Kryeministrit Berisha, se SHBA-të do të vijojnë të mbështesin fuqishëm Shqipërinë e rajonin, përfshi edhe përpjekjet për integrim në Bashkimin Evropian. Në këtë kontekst, z. Reeker përshëndeti edhe marrëveshjen e fundit trepalëshe midis Italisë, Greqisë dhe Shqipërisë, si një shenjë tjetër e klimës së bashkëpunimit për interesat e përbashkët të këtyre vendeve. Më tej, në takim u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në rajon, ku Kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin të shpreh edhe një herë mirënjohjen më të thellë ndaj SHBA-ve, qeverisë amerikane, Presidentin Obama dhe sekretarit të shtetit Kerry, për mbështetjen e palëkundur për paqen e stabilitetin e rajonit, perspektivën euroatlantike të tij dhe në veçanti për mbështetjen e paçmuar ndaj Republikës së Kosovës.

 

Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin

Comment here