Zyhdi Morava, një shkrimtar që dha forcë e dashuri nga bota e dhimbjes dhe disidencës

Vepra e Zyhdi Moravës, një “përmendore” e gjallë artistike

 “Pa dashuri, pa dashuri, sa tmerr!”

Kështu do të shkruante gjithnjë shkrimtari ZYHDI MORAVA, duke nxjerrë nga thellësitë e shpirtit “trishtimin“ e tij të mbledhur pikë-pikë, ato grimca të jetës personale, të cilën ia privuan nga liria në moshën e ëndrrës së kulluar, kur shpirti i tij krijues ishte i etur për jetë dhe dashuri njerëzore… Në botën letrare shqiptare, Zyhdi Morava erdhi nga bota e dhimbjes dhe e disidencës. Djalë 14-15 vjeçar, filloi të shkruante nëpër fletore poezitë dhe tregimet e para. Me këtë ëndërr të bukur letrare, në vitin 1969, u lidh me një grup djemsh të rinj që aspironin të bëheshin shkrimtarë e poetë. Nëpër këtë valë ëndërruese ishin atëherë Bedri Myftari, Konstandin Dhamo, Roland Gjuza, Ahmet Golemi, Pirro Kuqi, një “grup letrarësh të zjarrtë” që u penguan shpejt që në prag, edhe pse nuk kishin ndonjë synim politik. Për shpirtin rebel dhe aspiracionin e dëshiruar për të shkruar jashtë kornizave të kohës se realizmit socialist (gjë e cila, në atë kohë, përbënte një herezi dhe mëkat i rëndë), ata arrestohen nga Sigurimi i Shtetit në vitin 1971. Pas tyre, edhe Zyhdi Morava, më 14 mars 1978, prangoset dhe vuan dënimin në burgun e Spaçit, deri më 15 nëntor 1982, ditë që u lirua nga amnistia e madhe e të burgosurve politikë. Kësaj periudhe fatkeqe ai ia kushton librin “12OO kokë burra” me tregime nga burgu. Ndërthurur me gjuhën poetike të një liriku, ai përmban fakte, të cilat do të shërbejnë për rishikimin realist të historisë së Shqipërisë për vitet komuniste, nën drejtimin e Enver Hoxhës. Libri është një kujtesë historike, një dëshmi ngjarjesh e faktesh me “fate të gjymtuara”, të poshtëruara e të flakura tej për kohën e genocidit komunist te kohës së tmerrshme. Rrëfimet e autorit kanë frymë lirike e psikologjike aq sa edhe lexuesit i duket vetja pjesëtar në ndodhitë e jetës së personazhit. Zyhdi Morava i përket një brezi shkrimtarësh specifikë që me tematikën e krijimeve të tyre të mirëfillta krijuan atë “fond” qe ne sot e quajmë “letërsia e burgut”. Ai humbi rininë edhe ëndrrat nëpër burgjet e ferrit dantesk, sepse në krijimtarinë e tij të re kishte “erëra lirie” dhe ne të gjallëronin peizazhet e lirizmit ku “trishtimit” më të thellë, shkrimtari i jepte solemnitetin e një feste dhe forcën e “divit” !…Edhe në “dhimbjen më të skajshme”, MORAVA si shkrimtar “këndoi” me penë gëzimin e jetës, gëzimin e dashurisë dhe flatrat e lirisë.

Pas viteve 199O, në atmosferën e demokracisë shqiptare, shkrimtari Zyhdi Morava u ka dhënë lexuesve 25 vepra letrare, kryesisht në prozë e poezi. Është fitues i disa çmimeve kombëtare në letërsi, si me romanin “E veçanta e një dashurie”, që iu dha “Penda e Argjendtë”, në vitin 2OO4.

Si një ndër shkrimtarët më prodhimtarë pas viteve 199O, u zgjodh dhe Kryetar i Lidhjes se Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë ku punoi me këmbëngulje për një letërsi kombëtare me shije njerëzore e të dashuruar me lexuesit, siç ka qenë e tillë tradita e letrave shqipe të viteve 193O. Me këtë dashuri, luftoi derisa vdiq i “lodhur” nga jeta.

Sot, portreti i tij fizik “jeton” me veprat letrare, që janë një “përmendore e gjallë” artistike në galeritë kulturore të jetës shqiptare dhe ai na “buzëqesh” përsëri si një “perandor” i kujtesës krijuese. Bashkëkohësi i tij, BEDRI MYFTARI, e tregon këndshëm jetën e tij “të trazuar”, veçon për të një “portretizim të veçantë” që dallonte nga të tjerët me tiparet burrërore, me mustaqet e argjendta dhe pamjen fisnike të një kalorësi trim që i fringëllinte “festja e kokës”, edhe pse ishte “mbështjellë” përherë me varfërinë e përhershme të jetës që bënte.

Zyhdi Morava ishte adhurues i veprës së shkrimtarit Sterjo Spasse, sidomos për romanin “PSE?!” ai fliste me madhështi. Prandaj, dhe herë pas here, dëshironte te ndodhej buzë liqenit të Prespës e të pinte një gotë verë dashurie këtyre brigjeve me bukuri hyjnore.

Mua më ndodhi rasti që ta shoqëroj këtë shkrimtar “rebel” në Prespë në vitin 2OO7 bashkë me Milianov Kallupin nga Elbasani dhe poetin Xhelal Tosku. Atëherë, më tha bindshëm e me vrull: “Spasse, shkruaj një poemë për këto bukuri, për kurmin hyjnor të Marinës së Prespës në Ishullin e Maligradit”. Do të nderoj kjo ashtu si gjyshi yt Sterjo Spasse që është një “simfoni” letrare e kësaj treve, gati prej një shekulli.

Nga SPASSE THANASI

 

 

 

Comments are closed.