Zyrtare nga AKKP/ Lista e plotë e pronarëve që përfitojnë rimbursim financiar nga ndërtimet informale

Pronarët që përfitojnë kompensim

Përfundon shqyrtimi i kërkesave për 900 emrat e pronarëve, prona e të cilëve preket nga ndërtimet informale. Kur nis procesi i pranimit të kërkesave të përfituesve? Dokumentacionet që duhet të dërgohen pranë AKKP-së. Fondi i vënë në dispozicion për kryerjen e shpërblimit financiar

Vijon kompensimi financiar nga ana e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për të gjithë ata pronarë që u preket prona nga ndërtimet informale. Lidhur me këtë fakt, gazeta “Republika” publikon 900 emrat që përfitojnë rimbursim financiar. Kështu, në mbështetje të VKM-së nr. 383, datë 19.05.2010, “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”, të ndryshuar, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave bën me dije se do nisë procesi i pranimit të kërkesave për shpërndarjen e këstit të parë për kompensimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale për subjektet sipas listës së miratuar me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 900, datë 06.12.2011. Ky këst është në masën prej 47 për qind të shumës së përgjithshme në të holla, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

Kur nis procesi i pranimit të kërkesave të përfituesve

 

Sipas deklaratës së Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, bëhet me dije se procesi i pranimit të kërkesave të përfituesve nga ky fond do të fillojë ditën e hënë, më datë 5 mars 2012, dhe nuk do të jetë i kushtëzuar apo i limituar në afat. Me këtë rast, AKKP fton të gjitha subjektet e interesuara, emrat e të cilëve rezultojnë në listën bashkëlidhur, të paraqiten pranë zyrave të tyre për dorëzimin e kërkesës për kompensim. Ndërkohë, AKKP ka ngritur grupin e punës, i cili do të kryejë pranimin dhe regjistrimin e kërkesave të subjekteve të interesuara. Të gjitha subjektet e interesuara mund të paraqiten në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, me adresë Rruga “Muhamet Gjollesha”, nr. 54, Tiranë. Të dhënat e subjekteve përfituese janë të evidentuara në listën që i bashkëlidhet këtij njoftimi, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, ku përcaktohet shpërblimi i pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale.

 

Dokumentet që duhet të dorëzojnë përfituesit pranë AKKP-së

 

Tarifat e shërbimit

 

Aplikuesit kanë detyrimin të paguajnë tarifën e shërbimit në vlerën prej 2000 (dymijë) lekësh dhe, gjithashtu, të hapin në emër të tyre, një llogari bankare në një nga bankat e nivelit të dytë. Ndërkohë, të gjitha ato subjekte përfituese apo përfaqësuesi i tij me prokurë duhet të paraqesë pranë AKKP-së, Tiranë, dokumentacionin e mëposhtëm:

– Kërkesën sipas formularit tip, të plotësuar sipas rubrikave.

– Dëshminë e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil. Për dëshmitë e trashëgimive të lëshuara nga gjykata për testamentin e bërë me akt noterial të sillet certifikatë familjare e personit, për të cilin është lëshuar kjo dëshmi; (Në rast se subjekti përfitues ka vdekur).

– Prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjitha subjektet që përfitojnë kompensim, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të tyre. Në rastet kur nuk është e mundur të dorëzohet prokura e posaçme, secili bashkëpronar apo një pjesë e tyre, paraqesin kërkesë individuale apo të përbashkët, për pjesën takuese në pronën që kompensohet. Në rastin e kërkesave individuale të secilit bashkëpronar apo të një pjese të tyre, për çdo aplikim të kryer, paguhet tarifë shërbimi, pavarësisht se i përket së njëjtës pasuri të paluajtshme;

– Vërtetimin e lëshuar nga banka e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare dhe IBAN-in përkatës;

– Fotokopjen e dokumentit të identifikimit, si dhe certifikatën familjare të kërkuesit/aplikuesit;

– Mandat pagesën për shumën 2 000 (dy mijë) lekë për çdo aplikim të veçantë.

Më shumë informacion dhe asistencë mund të merret në Drejtorinë e Kompensimit të Pronës në AKKP, si dhe në faqen zyrtare të agjencisë www.akkp.gov.al.

Comments are closed.